Kronikë
BDI kërkon llogaridhënie institucionale dhe dorëheqjen e Astrit Isenit pas dhunës ndaj dy të rinjve
Reklamë e Sponsorizuar
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka lëshuar sot një komunikatë zyrtare ku kërkon hetim urgjent dhe zbardhjen e plotë të incidentit ku dy të rinj, të moshës 21 dhe 23 vjeç, pretendojnë se janë sulmuar në mënyrë brutale nga pjesëtarë të policisë.
Sipas versionit të paraqitur në raportin e brendshëm të policiei, pretendohet se djemtë i kishin marrë armën e zjarrit një efektivi. Megjithatë, dëshmitë e vetë të rinjve tregojnë një histori tjetër, sipas së cilës arma ka përfunduar brenda automjetit pasi efektivët u kanë thyer xhamat. Ata gjithashtu kanë dëshmuar se gjatë ndërhyrjes policët kanë përdorur armët e zjarrit, u kanë çarë gomat e makinës dhe më pas i kanë lidhur e shtrirë përtokë për t'i dhunuar.
Në reagimin e saj, kjo forcë politike kërkon nisjen e menjëhershme të një hetimi të pavarur, të paanshëm dhe transparent për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje të rëndë, duke kërkuar gjithashtu ndëshkimin e çdo zyrtari policor që ka shkelur ligjin.
Duke theksuar se heshtja dhe shmangia e përgjegjësisë nuk përbëjnë zgjidhje, BDI ka kërkuar publikisht dorëheqjen e Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, si dhe vendosjen e përgjegjësisë së plotë institucionale. Në komunikatë nënvizohet se të drejtat dhe dinjiteti i qytetarëve nuk mund të cenohen nga ata persona të cilëve u është besuar detyra e mbrojtjes së tyre.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: