Politikë
Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në krye të shtetit: Çfarë fitoi dhe çfarë humbi LDK-ja nga epilogu i krizës?
Reklamë e Sponsorizuar
Në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur në minutat e fundit të afatit kushtetues, Justina Shiroka Pula u zghodh Presidente e vendit me 81 vota pro. Kandidatura e saj erdhi si propozim i kryeministrit Albin Kurti drejtuar PDK-së në orën e fundit të 6 tetorit, ndërsa kundërkandidate e saj ishte deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.
Procesi zgjedhor u zhvillua në praninë e deputetëve të mazhorancës dhe të partisë së dytë opozitare (PDK), por vëmendje të veçantë mori edhe prania në sallë e përfaqësuesve të partisë së tretë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës. Disa prej deputetëve të kësaj të fundit morën pjesë në votim, pasi kishin arritur një dakordësi me LVV-në për kandidaturën e Bekim Sejdiut, e cila megjithatë nuk kishte gjetur mbështetjen e gjashtë deputetëve të tjerë brenda grupit parlamentar.
Ky epilog ka hapur debate të gjera se çfarë ka fituar dhe çfarë ka humbur saktësisht LDK-ja nga ky proces. Analisti politik Milazim Maraj e ka cilësuar zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës si një fund pozitiv pas muajsh të tërë tensionesh dhe përplasjesh politike të paszgjedhjeve, duke shmangur një skenar të ri të bllokadës institucionale që mund t'i kushtonte rëndë vendit në rrafshin politik dhe ekonomik.
“Zgjedhja e Presidentes Akademikes Justina Shiroka-Pula ishte një përfundim i mirë nga të gjitha prapësitë që ndodhën që nga përfundimi i zgjedhjeve. Një fjalë e urtë gjermane thotë: nëse fundi del mirë, çdo gjë ka qenë mirë. Përfundim me zgjedhjen e Presidentes është përfundim i mirë. Përndryshe, shoqëria në Kosovë do të përpëlitej me cikle të reja anarkie, shantazhi, dhune dhe dëmesh të pajustifikueshme politike, gjeopolitike e ekonomike”, ka deklaruar Maraj.
Megjithatë, ai ka ngritur pikëpyetje mbi domosdoshmërinë e kësaj krize, duke ia faturuar një pjesë të përgjegjësisë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Sipas tij, mungesa e një atmosfere të sinqertë bashkëpunimi ka dëmtuar procesin, duke përmendur rastin e mospropozimit të Kujtim Shalës për nënkryetar të Kuvendit dhe fillimisht mospranimin e kandidatit të LDK-së për President.
“Por, a pati nevojë për të gjitha këto turbullira të krijuara nga Albin Kurti? Marrëveshja nuk duron ofendime, nënçmime e të pavërteta që humbin besimin te pala nga e cila kërkohet bashkëpunim. Këtë e di vetëm kryetari i LVV-së, Albin Kurti, pse i bëri”, shprehet ai, duke shtuar se inteligjenca duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me mençuri në politikë.
Në lidhje me qëndrimin e LDK-së, analisti thekson se gatishmëria për të pranuar një personalitet si Bekim Sejdiu dëshmoi vullnet për kompromis, por në të njëjtën kohë ky zhvillim solli në pah edhe përçarjet dhe fërkimet e brendshme brenda këtij subjekti politik.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: