Sport
Ironia e Jose Mourinhos për Manchester Cityn: Vendimi përfundimtar do të merret kur të jem 80 vjeç
Reklamë e Sponsorizuar
Jose Mourinho ka përdorur tonë ironike për të komentuar situatën aktuale të Manchester Cityt dhe zvarritjen e procesit gjyqësor lidhur me akuzat për shkelje të rregullave financiare në elitën e futbollit anglez.
Tekniku portugez, i cili gjatë edicionit 2017/18 udhëhiqte Manchester Unitedin — skuadër që e mbylli kampionatin pikërisht pas rivalëve të qytetit — ka folur hapur për këtë çështje gjatë një interviste dhënë për “Corriere dello Sport”.
Duke shprehur skepticizëm për kohëzgjatjen e procedurave, Mourinho theksoi se situata i duket për të qeshur, duke marrë parasysh se çështja pritet të kalojë nëpër hallka të shumta ankimimesh.
“Unë preferoj të qesh pak me këtë. Mendoj se do të ketë një përfundim, por ne të dyve në të 60-at do të na duhet fat që të jemi ende këtu kur të dalë vendimi përfundimtar. Është vendimi, pastaj do të ketë ankesa dhe ankesa”, u shpreh strategu portugez.
I njohur me nofkën “The Special One”, ai vazhdoi me batuta se epilogu mund të vijë kur ai të ketë mbushur moshën 80-vjeçare, ndërsa shtoi me shaka se dëshiron të vazhdojë të jetë pjesë e futbollit edhe atëherë, nëse gjendja shëndetësore do t'ia lejojë.
Kujtojmë se bëhet fjalë për hetimin e gjerë të Premier League ndaj Manchester Cityt për parregullsi të pretenduara financiare, të shtrira përgjatë periudhës nga sezoni 2009/10 deri në atë 2017/18. Për Mourinhon ky rast ka një peshë specifike, pasi në edicionin 2017/18, “Djajtë e Kuq” nën drejtimin e tij u renditën të dytët, menjëherë pas “Qytetarëve”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: