Kronikë
Arsenal armësh dhe pajisje ushtarake zbulohen në një shtëpi të pabanuar në Leposaviq
Reklamë e Sponsorizuar
Një armë zjarri e llojit AK-47, së bashku me 119 fishekë dhe pajisje të ndryshme ushtarake, janë zbuluar nga autoritetet gjatë kontrollit në një objekt banimi të pabanuar në fshatin Dren të komunës së Leposaviqit.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka bërë të ditur për portalin tonë se hetimet lidhur me këtë ngjarje janë në zhvillim e sipër. "Jemi në proces të identifikimit të pronarit në vendin ku janë gjetur armët dhe pastaj do të merren veprimet e tjera konform ligjit", ka deklaruar Preteni.
Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Kosovës, operacioni është vënë në lëvizje më 7 tetor, rreth orës 16:30, pas pranimit të një informate operative. Gjatë kontrollit në terren, njësitet policore kanë konfiskuar një armë AK-47, dy karikatorë të zbrazët, 119 fishekë të kalibrit 7.62x39 milimetra, si dhe pjesë të uniformës e pajisje të tjera ushtarake, përfshirë pantallona, një kapelë dhe një termos.
Ky rast vjen vetëm pak ditë pas një zbulimi tjetër të ngjashëm në të njëjtin fshat. Më 30 shtator, policia kishte sekuestruar në një stallë në Dren të Leposaviqit një armë përsëritëse M-56, dy pistoleta (një CZ-99 dhe një CZ Mod-70), si dhe sasi të ndryshme municioni: 99 fishekë të kalibrit 7.62 mm, 30 fishekë të kalibrit 9 mm dhe 10 fishekë të kalibrit 7.65 mm.
Për rastin e fundit të shtatorit, një 55-vjeçar me inicialet S.V. ishte shoqëruar në stacionin policor dhe, pas përfundimit të procedurave të intervistimit, ishte liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Ndërkohë, autoritetet e rendit kujtojnë se armë dhe municion ishin zbuluar gjithashtu gjatë një aksioni bastisjeje në fshatin Shipovë të Zubin Potokut, rast në të cilin nuk pati persona të ndaluar apo të arrestuar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: