Politikë
Zgjedhja në krye të shtetit: IKD i drejton 8 kërkesa kyçe presidentes Justina Shiroka-Pula
Reklamë e Sponsorizuar
Pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes së Republikës së Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dalë me një sërë kërkesash dhe pritshmërish publike për kreun e ri të shtetit. Ky institucion thekson se presidentja mbart një peshë vendimtare në garantimin e mbarëvajtjes kushtetuese të institucioneve, si dhe në përfaqësimin e vendit në rrafshin e brendshëm dhe ndërkombëtar, duke kujtuar se Kushtetuta i jep asaj autoritet të gjërë në fushën e ligjeve, drejtësisë, sigurisë, politikës së jashtme dhe institucioneve të pavarura, ku përfshihet edhe pozita e Komandantes Supreme të FSK-së.
Sipas vlerësimit të IKD-së, e para e shtetit duhet të mishërojë unitetin e popullit, duke qenë një zë i unifikuar për të gjithë qytetarët, krejtësisht e shkëputur nga agjendat partiake dhe kalkulimet e ngushta të shumicave të përkohshme politike.
Në këtë kuadër, IKD i bën thirrje Presidentes Shiroka-Pula që që në nisje të mandatit të saj të bëjë publike qëndrimet dhe zotimet rreth dhjetë çështjeve fundamentale:
1. Kushtetuta dhe funksionimi demokratik i institucioneve
Si do ta ushtrojë Presidentja detyrën kushtetuese për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve? A do të reagojë publikisht dhe në kohë kur cenohen ndarja e pushteteve, mandatet e institucioneve, procedurat kushtetuese apo kur vendi përballet me bllokada të institucioneve?
2. Dhomat e Specializuara, personat e zhdukur dhe drejtësia për viktimat
Cili është qëndrimi i saj lidhur me zhvillimet e fundit për Ligjin për Dhomat e Specializuara, të drejtat e të akuzuarve, të drejtat e viktimave dhe respektimin e pavarësisë gjyqësore? A do ta trajtojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe dokumentimin e krimeve të luftës si prioritet të përhershëm shtetëror?
3. Partneriteti me SHBA-në, BE-në dhe integrimi euroatlantik
Si do ta udhëheqë politikën e jashtme për rinisjen e dialogut strategjik dhe forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për avancimin e statusit të Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe për zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës? A do të garantojë koordinim të institucioneve në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë?
4. Pavarësia nga partitë politike dhe përfaqësimi i të gjithë qytetarëve
Çfarë standardi do të vendosë për ta dëshmuar se nuk do të jetë përfaqësuese e interesave të subjekteve politike që e kanë mbështetur zgjedhjen e saj? Si do të sigurojë komunikim dhe konsultim të barabartë me opozitën, shoqërinë civile, komunitetet dhe qytetarët?
5. Kthimi i ligjeve për rishqyrtim dhe mbrojtja e interesit publik
Si do ta përdorë kompetencën për kthimin e ligjeve në Kuvend për rishqyrtim, kur vlerëson se ato janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës? A do të vendosë një praktikë transparente për arsyetimin publik të dekreteve të saj për shpalljen apo kthimin e ligjeve?
6. Sundimi i ligjit, drejtësia dhe emërimet në sistemin gjyqësor e prokurorial
Si do të sigurohet që kompetencat e saj lidhur me emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve, prokurorëve, Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit të ushtrohen me integritet, pa ndikim politik dhe me respekt të plotë për pavarësinë e sistemit të drejtësisë?
7. Lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e institucioneve të pavarura
Si do të reagojë Presidentja ndaj përpjekjeve për kapjen e institucioneve, emërimeve jomeritore, nepotizmit dhe konfliktit të interesit? A do ta përdorë autoritetin e saj kushtetues për të kërkuar llogaridhënie dhe respektim të standardeve të integritetit në institucionet publike?
8. Dialogu me Serbinë, sovraniteti dhe marrëveshjet ndërkombëtare
Cili është vizioni i Presidentes për këtë proces?
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: