Kronikë
Skema e pastrimit të parave: Prokuroria vë në shënjestër biznesmenin e njohur Irfan Hysenbelliu
Reklamë e Sponsorizuar
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet zyrtare ndaj sipërmarrësit dhe pronarit të televizionit News 24, Irfan Hysenbelliu, i cili dyshohet për veprën penale të pastrimit të parave, të ardhura këto që mendohet se burojnë nga evazioni fiskal, mashtrimet tatimore apo veprimtari të tjera të paligjshme. Sipas dosjeve hetimore, Hysenbelliu, i njohur më parë për çështje të ngjashme dhe përfitim të pasurive publike pa shlyer as detyrimet minimale të qirasë, dyshohet se ka përdorur kontrata fiktive për të zhvendosur shuma të mëdha parash.
Në fokus të hetimeve është një transaksion i dyshimtë i kryer më 8 qershor 2026, ku Fatmir Hysenbelliu, djali i biznesmenit, bleu një sipërfaqe prej 15 mijë metrash katrorë pyll në zonën e Qerretit, të klasifikuar me prioritet ndërtimi, kundrejt vlerës 500 mijë euro. Prona u ble nga shoqëria PANDA GROUP shpk, në pronësi të Andrea Nakos, dikur partner biznesi i Hysenbelliut te Panorama TV. Vlen të theksohet se një muaj para këtij blerjeje, Fatmir Hysenbelliu kishte siguruar një hua prej 1 milion eurosh nga kompania FAP Group S.r.l., veprim që dyshohet se është realizuar formalisht si mbulesë për skemën e pastrimit të parave.
Vetëm katër ditë më vonë, më 12 qershor 2026, e njëjta pronë u shit nga Fatmir Hysenbelliu për shumën e 3.3 milionë eurove, duke shënuar një rritje artificiale të vlerës prej gati 7 herësh brenda një kohe rekord. Organet e akuzës po shqyrtojnë mundësinë se si, përmes një huaje prej 500 mijë eurosh, janë pastruar rreth 2.8 milionë euro me një lëvizje të vetme katërditore. Pavarësisht qartësisë së skemës, burimet bëjnë me dije se nuk kanë munguar presionet ndaj Prokurorisë së Tiranës për ta zvarritur këtë çështje.
Blerësi i kësaj prone, e cila ndryshoi pronësi dy herë brenda katër ditësh nga 500 mijë në 3.3 milionë euro, ishte kompania GRAND BLUE FAFA RESORT me NIPT M01505047A, themeluar nga sipërmarrësi Fatos Çerenishti. Interesant është fakti se në momentin e këtij transaksioni kolosal, kapitali i shoqërisë blerëse nuk arrinte as pragun e 2 milionë eurove.
Pas kësaj shitjeje fiktive, fondet nga kompania e Çerenishtit kanë lëvizur drejt llogarive bankare të fëmijëve dhe entiteteve të Irfan Hysenbelliut, duke u kaluar përmes noteres Anila Kaçupi, e cila sipas hetimeve ka përpunuar edhe transaksione të tjera të dyshimta të familjes. Më tej, vetë Fatmir Hysenbelliu i ka transferuar të atit një shumë prej 200 mijë eurosh në formë huaje, duke krijuar një rrjetë transaksionesh komplekse për të humbur gjurmët e origjinës së parave.
Në vend që të përmbushë detyrimet tatimore ndaj shtetit, të cilat llogariten në mbi 6 milionë euro, Hysenbelliu dyshohet se i është drejtuar skemave të evazionit dhe pastrimit të parave, duke përdorur më pas median e tij për të ushtruar trysni mbi prokurorët dhe gjyqtarët. Kjo qasje përdoret sa herë që ai ndeshet me kufizime nga pushteti, ndërkohë që në publik hiqet si mbrojtës i lirisë së medias.
Masat shtrënguese dhe sekuestrot e fundit
Pas prishjes së Prestige Resort, largimit të televizionit News 24 nga mjediset shtetërore në Shkozë dhe bllokimit të llogarieve të Birra Korçës, autoritetet shtetërore kanë vijuar zbatimin e ligjit për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura tatimore që kapin shifrën e 6.4 milionë eurove ndaj Irfan Hysenbelliut. Në kuadër të këtij aksioni, Drejtoria e Tatimeve ka ndërmarrë hapa konkretë, duke i sekuestruar Fatmir Hysenbelliut disa muaj më parë pasuri të ndryshme, ndërsa pak ditë më parë janë sekuestruar edhe 8 automjete luksoze për shkak të detyrimeve të pashlyera.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: