Aktuale
Kujtesë historike: 28 vjet nga rënia e Abedin Rexhës, luftëtarit të njohur me nofkën “Sandokani”
Reklamë e Sponsorizuar
Abedin Rexha hyj në histori si një prej luftëtarëve të orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u dalluar për trimëri të jashtëzakonshme deri në frymën e fundit, virtyte që i dhanë nga bashkëluftëtarët edhe nofkën e njohur “Sandokan”. Ai lindi më 8 korrik 1969 në fshatin Vajnik të komunës së Skenderajt.
Shkollimin fillor e kreu në Turiçec, të mesmin në Skenderaj, ndërsa hapat akademikë i vazhdoi në Fakultetin Xehetar-Metalurgjik në Mitrovicë. Gjatë viteve të shkollimit të mesëm në Skenderaj, ai u lidh me aktivistë të lëvizjes ilegale. Në atë periudhë, ai bashkëpunoi ngushtë me Jakup Nurën dhe Nuhi Gecin, me të cilët ishte organizuar për të shpërndarë trakte dhe afishe që bënin thirrje për qëndresë kundër regjimit pushtues serbo-sllav.
Pasi autoritetet e huaja i ranë në gjurmë veprimtarisë së tij, Abedini u detyrua të merrte rrugën e mërgimit në vitin 1992. Në vjeshtën e vitit 1996, ai u kthye në Kosovë i ngarkuar me misione specifike, duke zhvilluar një takim me komandantin Adem Jashari. Gjatë kësaj periudhe, ai lëvizte vazhdimisht brenda dhe jashtë vendit. Më 6 maj 1997, Abedini së bashku me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Luan Haradinajn, Ilaz Kodrën, Ramiz Lladrovcin dhe të tjerë, u nis për të kaluar Alpet Shqiptare. Gjatë këtij udhëtimi, grupi ra në pritë të forcave serbe dhe, pas një përleshjeje të ashpër ku u vra heroikisht Luan Haradinaj, u detyrua të tërhiqej drejt kufirit. Dy muaj më vonë, në korrik të vitit 1997, Abedin Rexha arriti të depërtonte sërish në Kosovë në shoqërinë e Adrian Krasniqit, Ilaz Kodrës, Ilir Konushevcit dhe luftëtarëve të tjerë të lirisë, duke u angazhuar pa u ndalur në zgjerimin dhe forcimin e radhëve të UÇK-së.
Më 25 nëntor 1997, policia serbe u nis drejt fshatit Vajnik me qëllim arrestimin e Abedin Rexhës – Sandokanit. Abedini, i mbështetur nga dy vëllezërit e tij, Brahimi dhe Afrimi, si dhe nga luftëtarë të tjerë, u doli përballë forcave armike duke i sulmuar. Gjatë këtij operacioni u eliminuan dy policë serbë, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit mbeti i plagosur 11-vjeçari Baki Krasniqi.
Një ditë më vonë, më 26 nëntor 1997, komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, dha urdhër që t'i zihej pritë forcave serbe në vendin e njohur si Klisyra në Rezallë të Re. Në pozicione krahas Adem Jasharit dhe Abedin Rexhës u vendosën edhe Mujë Krasniqi, Ilaz Kodra, Nuhi Geci dhe shumë trima të tjerë. Plani i armikut nisi të zbatohej, por në orët e para të mëngjesit forcat serbe u gjetën të rrethuara. Gjatë tërheqjes, trupat serbe qëlluan për vdekje mësuesin Halit Geci në oborrin e shkollës së Llaushës. Më 28 nëntor 1997, me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci në Llaushë, Mujë Krasniqi së bashku me shokët e tij Rexhep Selimin dhe Daut Haradinajn, të veshur me uniformat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të armatosur, dolën para masës së tubuar për të shpallur publikisht fillimin e luftës së armatosur çlirimtare në Kosovë.
Gjatë vitit 1998, lufta mori përmasa të gjera dhe u zgjerua me shpejtësi. Abedin Rexha nuk mund të përmbante dot indinjatën ndaj mizorive të pushtuesit, i cili po masakronte pa dallim fëmijë, gra, pleq e burra, duke u vënë flakën pronave të shqiptarëve.
Në fillim të gushtit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e emëroi Abedin Rexhën Komandant të Brigadës 112 “Arben Haliti” në kuadër të Zonës Operative të Drenicës.
Gjatë muajve gusht dhe shtator 1998, komandant “Sandokani” luftoi me trimëri të pashoq në shumë frontje. Pikërisht në kulmin e ofensivave të gjera shfarosëse të ndërmarra nga forcat serbe në të gjitha zonat operative, e sidomos në ZO të Drenicës, më 8 tetor 1998, komandant Abedin Rexha – “Sandokani” u vra në pyjet e fshatit Kllodernicë të Skenderajit. Pas vetes, ai la bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: