Kronikë
Berlini zyrtar jep alarmin: Ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale minojnë drejtësinë
Reklamë e Sponsorizuar
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me vendimin e Kuvendit të Kosovës për të ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, zhvillim ky që u miratua gjatë një seance të mbajtur vonë mbrëmjen e së hënës.
Kufizimi i kompetencave të kësaj gjykate u arrit përmes një votimi të deputetëve kosovarë, i cili u zhvillua pak para mesnatës të së martës.
Në një prononcim zyrtar, zëdhënësja e misionit diplomatik gjerman, Catalina Heine, ka theksuar se Dhomat e Specializuara përbëjnë një organ të pavarur të drejtësisë, i cili nuk duhet të jetë cak i ndërhyrjeve që cënojnë funksionimin e tij.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion gjyqësor i pavarur dhe u themeluan në bazë të ligjit të Kosovës dhe mbështetën në Kushtetutën e Kosovës. Qëllimi i tyre është të sigurojnë llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Për të përmbushur këtë synim, pavarësia e tyre duhet të respektohet plotësisht”, thuhet në përgjigjen e ambasadës, e cila gjithashtu bëri të ditur se mbështet plotësisht qëndrimin e Bashkimit Evropian kundër këtyre ndryshimeve legjislative.
Nga ana e tij, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se këto veprime bien ndesh hapur me zotimet ndërkombëtare që vendi ka marrë përsipër përballë bllokut evropian.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: