Politikë
Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare gazetarja e njohur dhe ish-eurodeputetja italiane, Barbara Spinelli
Reklamë e Sponsorizuar
Figura e njohur e gazetarisë italiane dhe ish-anëtarja e Parlamentit Europian, Barbara Spinelli, është shuar në moshën 80-vjeçare. Ajo mbante mbi supe një trashëgimi të rëndësishme familjare, pasi ishte e bija e Altiero Spinellit, një ndër arkitektët kryesorë të idesë së një Evropë të bashkuar.
Lajmi për vdekjen e saj është bërë i ditur nga burime brenda Parlamentit Europian në Strasburg, pasi fillimisht ishte raportuar nga e përditshmja me të cilën ajo bashkëpunonte për rreth dhjetë vjet. Familjarët e ndjerës kanë shprehur mirënjohjen e tyre ndaj mjekëve dhe personelit mjekësor të klinikës Villa del Rosario për kujdesin e treguar gjatë fazës së fundit të jetës. Ceremonia e varrimit është vendosur të mbahet në intimitet të plotë familjar.
"Familja falënderon secilin prej jush që e ka dashur dhe çmuar atë", thuhet në njoftimin zyrtar.
E rritur në një mjedis ku vlerat e bashkimit rajonal dhe rezistenca ndaj regjimeve totalitare ishin në plan të parë, Barbara Spinelli mbartte frymën e idealeve të prindërve të saj. Babai i saj dhe nëna, Ursula Hirschmann, ishin njohur gjatë Luftës së Dytë Botërore ndërkohë që vuanin internimin antifashist në ishullin Ventotene, vend nga ku u hodhën themelet e Manifestit të Ventotenes, dokumentit kyç të federalizmit evropian. Në rrafshin personal, ajo ka ndarë një pjesë të konsiderueshme të jetës së saj me ekonomistin dhe politikanin e shquar italian, Tommaso Padoa-Schioppa, një nga kontribuesit kryesorë në lindjen e monedhës euro, lidhje e cila mori fund me ndarjen nga jeta të këtij të fundit në vitin 2010.
Shtegu profesional i Spinellit në fushën e medieve nisi te gazeta “Il Globo”, për t'u shndërruar më pas në njërën nga themelueset e së përditshmes së njohur “La Repubblica”. Gjatë dekadave të punës së saj intensive, ajo ka dhënë kontributin e saj në gazetat “Corriere della Sera” dhe “La Stampa”, ku ka mbajtur pozitat e korrespondentes nga Parisi dhe e editorialistes, për t'u rikthyer sërish te “La Repubblica”.
Për rreth dhjetë vite rresht, ajo ishte pjesë e stafit të gazetës “Il Fatto Quotidiano”, ku në muajin mars publikoi edhe artikullin e saj të fundit me titull “Edhe kjo luftë mund të ishte shmangur”, ku analizonte tensionet mes Shteteve e Bashkuara dhe Iranit. Përveç penës së saj të mprehtë gazetarhe, ajo shquar për angazhimin e saj politik të mbështetur mbi parimet e pacifizmit dhe antifashizmit.
Në vitin 2014, Spinelli dha shtysë për krijimin e listës zgjedhore “L’Altra Europa con Tsipras”, nismë që kishte për qëllim përkrahjen e politikanit grek Alexis Tsipras për kreun e Komisionit Evropian. Ajo korri një sukses të madh në votimet evropiane duke u shpallur kandidatja më e preferuar brenda koalicionit.
Megjithëse vetëm një vit më vonë ajo pranoi hapur dështimin e këtij projekti politik, ajo vijoi mandatin e saj në Bruksel dhe Strasburg si eurodeputete e pavarur, e anëtarësuar në grupin e së Majtës së Bashkuar Evropiane. Humbja e saj lë një boshllëk të madh në gazetarinë italiane dhe në debatet mbi të ardhmen e kontinentit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: