Politikë
Kryeministri Rama në OKB: Inteligjenca artificiale të mos jetë monopol i shteteve të pasura, kërkohet pakt global
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka tërhequr vëmendjen te sfidat e teknologjisë moderne, duke u ndalur te ndikimi i inteligjencës artificiale dhe duke theksuar se vendi ynë, pavarësisht përmasave të vogla, po zhvillon një pasqyrë digjitale të bazuar pikërisht në këtë teknologji.
Gjatë fjalës së tij, kreu i Qeverisë shqiptare bëri thirrje për arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare që do të garantonte një inteligjencë artificiale sovrane, demokratike, të bazuar te transparenca dhe llogaridhënia e plotë.
Rama ndau me të pranishmit se gjatë qëndrimit në OKB është ndjerë i surprizuar në mënyrë pozitive nga kurioziteti dhe interesi i madh i bashkëbiseduesve për nismat e ndërmarra në Shqipëri rreth përdorimit të inteligjencës artificiale.
Sipas kryeministrit, Shqipëria po punon intensivisht për ngritjen e një pasqyre digjitale të mbështetur në inteligjencën artificiale, e cila synon të dallojë në kohë reale lajmet e manipuluara dhe të kontrollojë pretendimet e ngritura duke i krahasuar ato me burimet zyrtare të autorizuara.
“Ja pse Shqipëria, në shkallën e vet mikroskopike përkundrejt kësaj sfide gjigande, po ndërton një pasqyrë digjitale të mbështetur mbi inteligjencën artificiale. Pasqyra do të identifikojë në kohë reale, do të testojë pretendimet krahasuar me informacionin e autorizuar, do të zbulojë strukturat e koordinuara, jo vetëm ato çfarë shihen, por edhe si dhe pse ka mbërritur tek ato. Nuk do t’u thotë qytetarëve çfarë duhet të mendojnë, e drejta nuk mund të dekretohet nga asnjë qeveri, por të jetë e mbështetur nga të dhënat, të nxirret nga burimet e duhura, të testohet, të mbrohet haptazi. Pasqyra jonë nuk pretendon të shndërrohet në arbitër opinioni, por ka synim që të shndërrohet në një infrastrukturë transparence. Nuk kërkon të krijojë një ministri të së vërtetës, por kërkon të mbrojë shoqërinë kundrejt një industrie të gënjeshtrës,” u shpreh ai.
Kryeministri vuri në dukje se përmes këtij angazhimi konkret, Shqipëria kërkon t'i hapë rrugë një pakti mbarëbotëror që siguron sovranitetin digjital dhe përdorim transparent të teknologjisë.
“Si rrjedhojë, Shqipëria bën thirrje për një marrëveshje ndërkombëtare për një inteligjencë artificiale sovrane dhe demokratike,” shtoi Rama.
Në vijim të fjalës, ai parashtroi katër shtylla kryesore që duhet të orientojnë përdorimin e inteligjencës artificiale në shkallë globale.
“Se pari, qytetarët duhet të dinë kur përmbajtja politike me ndikim është gjeneruar artificialisht apo është manipuluar në përmbajtjen e saj. Se dyti, arkitektura e shpërndarjes duhet të bëhet transparente. Qytetarët dhe shtetet duhet të kenë mundësinë të dinë kush e krijoi, kush e financoi, kush e amplifikoi artificialisht përmbajtjen politike me ndikim. Se treti, çdo përdorim i inteligjencës artificiale nga një institucion publik duhet të ruajë një zinxhir të qartë llogaridhënieje njerëzore-ligjore. Se katërti, demokracitë duhet të krijojnë një sistem të përbashkët paralajmërimi të përhershëm, në mënyrë që të dhënat e manipulimit të drejtuar nga inteligjenca artificiale të mund të qarkullojnë midis të gjitha vendeve me mendësi të njëjtë po aq sa vetë manipulimi. Vendet e vogla dhe gjuhët e vogla nuk duhet të mbeten jashtë kësaj arkitekture mbrojtëse. Sovraniteti digjital nuk mund të jetë një privilegj i rezervuar vetëm për shtetet më të pasura,” deklaroi ai.
Duke iu kundërvënë atyre zërave ndërkombëtarë që sugjerojnë frenimin apo ndalimin e zhvillimit të inteligjencës artificiale, kryeministri theksoi se qëndrimi i Shqipërisë është krejtësisht ndryshe, duke mbështetur përshpejtimin e saj me kushtin parësor që procesi të mbetet i kontrollueshëm dhe transparent.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: