Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Kthehet në rigjykim çështja e Sllagjan Trajkoviqit, i dënuar për krime lufte në Vushtrri

Redaksia Lajmetereja • 07-10-2026 10:20
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kthehet në rigjykim çështja e Sllagjan Trajkoviqit, i dënuar për krime lufte në Vushtrri
Gjykata e Apelit ka marrë vendim që të anulojë aktgjykimin e shkallës së parë kundër Sllagjan Trajkoviqit, i cili ngarkohet me akuza për krime lufte në Kosovë, duke e kthyer lëndën në pikën e zeros për rigjykim dhe rivendosje. Në dokumentin e siguruar bëhet e ditur se janë aprovuar si të bazuara ankesat e ushtruara nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, nga mbrojtësi i të pandehurit, avokati Bogdan Laziq, si dhe ankesa e vetë të pandehurit Sllagjan Trajkoviq. Si pasojë, Apeli sipas detyrës zyrtare ka shpallur të pavlefshëm vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamentit Special, konkretisht aktgjykimin PS.nr.32/2023 të datës 26.02.2026, duke kërkuar që i gjithë procesi të përsëritet. Kujtojmë se përmes aktgjykimit të datës 26 dhjetor 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor Trajkoviqin, duke e dënuar atë me 10 vjet burgim efektiv. Sipas dokumentit zyrtar të datës 3 shtator 2026, kundër vendimit të shkallës së parë kishte paraqitur ankesë Prokuroria Speciale, e cila kishte konstatuar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe shkelje të Ligjit Penal. PSRK-ja kishte kërkuar që aktgjykimi i Themelores të ndryshohej në atë mënyrë që Trajkoviq të shpallej fajtor edhe për pikat a, b dhe d të aktakuzës. Po ashtu, ankesë kishte dorëzuar edhe avokati mbrojtës Bogdan Laziq, i cili pretendonte se kishte pasur zbatim të gabuar të dispozitave procedurale e materiale, vërtetim jo të plotë të fakteve dhe pakënaqësi me dënimin e shqiptuar. Ai kishte propozuar që Apeli ose ta ndryshonte vendimin duke e liruar të mbrojturin e tij, ose t'ia ulte dënimin, apo ta kthente çështjen në rigjykim, duke kërkuar gjithashtu pjesëmarrjen e tyre në seancën e kolegjit të Apelit. Në anën tjetër, edhe vetë i pandehuri Sllagjan Trajkoviq kishte ngritur ankesë përmes së cilës kërkonte lirimin nga akuzat për krime lufte ose kthimin e lëndës në rigjykim, si dhe ndërprerjen e masës së paraburgimit përmes një vendimi të veçantë. Ndërkaq, Prokuroria e Apelit kishte kërkuar që të pranohej ankesa e Prokurorisë Speciale, kurse të refuzoheshin ankesat e palës mbrojtëse. Gjatë shqyrtimit të lëndës, Gjykata e Apelit ka gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të procedurës penale, pasi nuk është hartuar në përputhje të plotë me Kodin e Procedurës Penale dhe vuan nga konstatimi i mangët i gjendjes faktike, mangësi këto që nuk mund të korigjohen pa një shqyrtim të ri gjyqësor. Kolegji i Apelit ka vlerësuar se vendimi i ankimuar nuk paraqet një unitet të qartë dhe të logjikshëm mes dispozitivit, provave të administruara, fakteve të vërtetuara dhe arsyetimit të dhënë nga gjykata. Në arsyetimin e vendimit theksohet se aktgjykimi nuk pasqyron qartë lidhjen e drejtpërdrejtë ndërmjet provave të siguruara, fakteve të konstatuara dhe konkluzioneve të nxjerra për çështjet kyçe të këtij procesi penal. Gjithashtu, Apeli ka gjetur se formulimi i dispozitivit të aktgjykimit nuk përputhet në mënyrë harmonike me përfundimet që gjykata e shkallës së parë i ka paraqitur në pjesën arsyetuese.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar