Sport
Ismajli pas triumfit ndaj San Marinos: Ndeshjet e tilla na ndihmojnë të rritemi, tani na presin dy finale
Reklamë e Sponsorizuar
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli, ka ndarë mendimet e tij pas fitores së arritur me rezultatin 2-1 ndaj San Marinos, një sukses që i ka ngjitur kuqezinjtë në krye të Grupit C1 në Ligën e Kombeve.
Duke analizuar rrjedhën e takimit, Ismajli theksoi rëndësinë e marrjes së tri pikëve, pavarësisht vështirësive në fushë. Sipas tij, triumfe të tilla janë jetike për ecurinë e skuadrës në luftën për kreun e grupit.
“Po besoj se edhe loja bën të veten. Ndeshje të lehta nuk ka. E rëndësishme që morëm 3 pikë. Në fund kanë vlerë jashtëzakonisht të madhe. Jemi në vendin e parë, e kemi gjithçka në dorën tonë”, u shpreh futbollisti.
Duke hedhur vështrimin drejt ndeshjeve vendimtare të muajit nëntor, ku Shqipëria do të presë Finlandën dhe Bjellorusinë, ai i ka cilësuar ato si duele përfundimtare për fatin e grupit, duke uruar njëkohësisht që grupi të jetë i plotë dhe pa dëmtime.
“Në nëntor shpresojmë të jemi të gjithë shëndosh e mirë, pastaj kemi Finlandën këtu dhe Bjellorusinë. I kemi dy finale për vendin e parë. Nganjëherë, edhe pse pret rezultat më të thellë me këto ekipe nuk është e lehtë”, shtoi ai.
Në përfundim, Ismajli vuri në dukje se përballje të tilla shërbejnë si një mësim i vlefshëm për të ardhmen, duke rikujtuar se në futbollin e sotëm nuk ekzistojnë më kundërshtarë të nënvlerësuar.
“Kjo sfidë na rrit. Na bën të mendojmë, dhe me ec në të ardhmen duke mos menduar që ka kundërshtarë të lehtë. Nuk ka kundërshtarë të lehtë sot. Duhet të respektojmë çdo kundërshtar, edhe pastaj të tregojmë në fushë që jemi më të mirët. Edhe pse kemi marrë 3 pikë, duhet të përmirësohemi shumë dhe të tregojmë se jemi në nivel më të madh se këto kundërshtarë që kemi në grup”, përfundoi Ismajli.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: