Sport
Terreni në Shkup revolton Murat Yakin: Në këto kushte është e pamundur të luhet futboll
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetrajneri i Përfaqësueses së Zvicrës, Murat Yakin, ka drejtuar kritika të ashpra në adresë të fushës së stadiumit “Todor Proeski” në Shkup, gjatë paraqitjes së tij para mediave, në prag të sfidës inauguruese të edicionit të ri në Ligën B të Ligës së Kombeve mes Maqedonisë dhe Zvicrës.
Për ta përgatitur sa më mirë këtë duel, helvetikët zhvilluan seancën e fundit stërvitore mëngjesin e sotëm në Turqi, për t'u nisur më pas drejt kryeqytetit maqedonas. Ky organizim nuk ishte rastësi, pasi gjendja jo e mirë e fushës në stadiumin nikoqir ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë vendim të stafit teknik.
Strategu zviceran nuk ka kursyer fjalët, duke shprehur hapur pakënaqësinë e tij me cilësinë e terrenit:
“Në një fushë të tillë nuk mund të zhvillohet lojë futbolli. Do të isha i lumtur nëse bari do të kositej deri nesër. Kur sheh një terren të tillë, ku bari është shtatë centimetra i lartë, e kupton se sa me fat ishim që stërvitjen e këtij mëngjesi e kryem në Turqi”.
Pavarësisht shqetësimeve të shfaqura për gjendjen e fushës, Yakin mbetet optimist dhe beson se grupi i tij do të paraqitet në lartësinë e duhur, duke theksuar se Zvicra i vlerëson maksimalisht të gjithë kundërshtarët pa përjashtim.
“Grupi ynë ka kualitet të mjaftueshëm dhe nesër secili do të japë maksimumin në fushë, sepse nuk ekzistojnë kundërshtarë të lehtë dhe ne i trajtojmë të gjithë me seriozitetin më të lartë. Natyrisht, në këtë ndeshje do të na mungojnë Granit Xhaka dhe Breel Embolo. Megjithatë, mbetemi pozitivë dhe plotësisht të përqendruar te gjetja e zgjidhjeve”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: