Botë
Siljanovska-Davkova: Mosmarrëveshja me Sofjen nuk është as çështje thjesht dypalëshe e as vetëm problem me BE-në
Reklamë e Sponsorizuar
Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova, ka shprehur qëndrimin se ngërçi aktual rreth rrugëtimit evropian të Maqedonisë dhe kushtet e vendosura nga Bullgaria nuk mund të futen në një kategori të vetme, duke mos mundur të cilësohen as ekskluzivisht si mosmarrëveshje dypalëshe dhe as thjesht si një problem mes shtetit dhe Bashkimit Evropian.
Gjatë një paraqitjeje intervistuese për televizionin Sitel, ajo u ndal te takimi i fundit që patën me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, ku u diskutua edhe mbi opsionin që Brukseli të luajë rolin e ndërmjetësit në dialogun me fqinjin lindor.
Duke iu referuar thirrjeve nga Brukseli për rinisjen e kontakteve me autoritetet e Sofjes, ajo rikujtoi se paraprakisht është shtruar dilema nëse ky ngërç përbën një çështje bilaterale apo ka të bëjë me kornizën e marrëdhënieve me Unionin.
“Kur thamë se çështja është e natyrës dypalëshe, pasi as në Planin e veprimit, e as më herët, nuk ka vërejtje nga vendet e tjera, askush nuk po kërcënon me veto, përkundrazi, theksohet nevoja për sistemin e meritës në evaluimin… Bullgaria thoshte se çështja nuk është dypalëshe, por se kemi të bëjmë me Bashkimin Evropian. E kam thënë shumë herë se nëse është kështu, atëherë le të negociojmë me Bashkimin Evropian”, u shpreh ajo.
Sipas kreut të shtetit, në raste të tilla legjislacioni evropian ofron instrumente të caktuara, përfshirë këtu edhe nenin 7 të Marrëveshjes për Bashkimin Evropian, i cili jep mundësinë e kufizimit të privilegjeve të një vendi anëtar nëse vërtetohet se ka shkelur rëndë vlerat dhe parimet themelore të bllokut.
Megjithatë, ajo vuri në pah domosdoshmërinë e një dialogu të hapur dhe të një shkmbimi idesh, ndërkohë që ritheksoi se i gjithë procesi nuk mund të reduktohet ngushtësisht vetëm në një mosmarrëveshje mes dy shtetesh apo thjesht në një pengesë me Brukselin.
Duke komentuar qëndrimet e zyrtarëve evropianë rreth detyrimeve që janë marrë përsipër, presidentja u mbështet në parimet e së drejtës kushtetuese evropiane dhe aktet themelore të BE-së.
“Unë nuk jam vetëm presidente, por edhe profesoreshë. E njoh mirë të drejtën kushtetuese evropiane. Dhe atë që këto ditë i referohet znj. Jotova, presidentja e Bullgarisë, kur thotë se duhet të respektojmë parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian, janë pikërisht çështjet për të cilat po flas edhe unë. Është shkruar shumë qartë në Marrëvehsjen për BE-në, në Marrëveshjen e e Lisbonës, në Kartën për të drejtat fundamentale, se BE-ja do të respektojë identitetin kombëtar dhe kulturor, jo vetëm të anëtarëve të BE-së, por të të gjitha kombeve dhe shteteve”, theksoi Siljanovska-Davkova.
Ajo shtoi se aktet evropiane garantojnë po ashtu edhe ruajtjen e rregullimit kushtetues dhe politik të shteteve, duke vlerësuar se këto standarde duhet të jenë udhërrëfyes në procesin integrues të vendit, sidomos kur preken çështjet e identitetit kulturor e kombëtar.
Sa i përket presionit për ndryshimet kushtetuese, presidentja bëri të malë se ajo nuk mund të ofrojë ndonjë garanci se ato do të kalojnë me sukses në Kuvend.
“Çfarë them unë kur më pyesin nëse do ta ndryshojmë Kushtetutën? Nuk mund të jap një garanci të tillë. Deputetët nuk më përfaqësojnë mua, i përfaqësojnë qytetarët dhe, si në çdo parlament evropian, ata votojnë sipas bindjeve të tyre”, deklaroi ajo.
Në fund, ajo shtroi pyetjen se çfarë do të ndodhë nëse nisma për ndryshimet kushtetuese hidhet sërish në tavolinë, ndërkohë që deputetët nuk arrijnë të sigurojnë shumicën prej dy të tretave, bashkë me mbështetjen e nevojshme nga radhët e komuniteteve joshumicë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: