Sport
Pacolli: Opozita po i keqpërdor ish-krerët e UÇK-së në Hagë për përfitime elektorale
Reklamë e Sponsorizuar
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka drejtuar kritika të ashpra lidhur me qasjen aktuale ndaj procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.
Në reagimin e saj, ajo ka ngritur dilema serioze se si mund të ofrohet mbrojtje e mirëfilltë për ta në një kohë kur vendi rrezikon të hyjë në zgjedhje dhe institucionet kyçe mbeten jofunksionale. "E qysh po ua merr mendja me i mbrojtë ata në Hagë, pa president e në fushatë zgjedhore?", ka shkruar Pacolli.
Më tej, ajo ka adresuar akuza ndaj aktorëve politikë rivalë, duke pretenduar se figura dhe procesi i ish-krerëve të UÇK-së po shfrytëzohen për agjenda të ngushta elektorale. "Kë po dojnë me e mbrojtë kështu? Se ata në Hagë, jo që nuk po i mbrojnë, por po i keqpërdorin për fushatë", ka theksuar ajo.
Sipas ministres, barazimi i fatit politik të një subjekti të caktuar politik me trashëgiminë historike të UÇK-së përbën një shfrytëzim të papranueshëm të vlerave të luftës për qëllime partiake. "Përpjekja për ta barazuar fatin politik të një partie me fatin historik të UÇK-së është keqpërdorim i luftës për interesa të ngushta partiake", ka shtuar ajo.
Në këtë kontekst, Pacolli ka ritheksuar qëndrimin e saj të pandryshuar ndaj kësaj instancë gjyqësore. "Ne kemi qenë dhe jemi kundër kësaj Gjykate", ka përsëritur ajo.
Në fund, ajo ka vlerësuar se garancia më e madhe për mbrojtjen e luftëtarëve në Hagë mbetet konsolidimi i institucioneve shtetërore dhe puna e përbashkët në mbrojtje të pastërtisë së luftës çlirimtare. "Mënyra më e mirë për t’i mbrojtur krerët e UÇK-së në Hagë është t’i funksionalizojmë institucionet e Kosovës dhe të punojmë bashkë në mbrojtjen e luftës çlirimtare të Kosovës, e cila ishte e drejtë dhe e pastër", ka përfunduar ministrja.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: