Kronikë
Bilanci i protestës para Kuvendit: Tre të shoqëruar, 11 qytetarë dhe gjashtë efektivë të lënduar
Reklamë e Sponsorizuar
Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim zyrtar për opinionin publik, ku ka pasqyruar zhvillimet dhe gjendjen e sigurisë gjatë protestës së zhvilluar në orët e mbrëmjes pranë ndërtesës së Kuvendit dhe Qeverisë në Prishtinë.
Sipas autoriteteve të rendit, gjatë tubimit një pjesë e protestuesve kanë hedhur vazhdimisht mjete piroteknike, fishekzjarre dhe objekte të forta në drejtim të objekteve institucionale. Për të vënë situatën nën kontroll, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për shpërndarjen e turmës, njësitë policore janë detyruar të ndërhyjnë duke përdorur pajisjet zyrtare, gazin lotsjellës dhe autobotin me ujë.
Për shkak të sigurisë së vetë qytetarëve dhe mbarëvajtjes së trafikut, organet e rendit janë detyruar që në intervale të caktuara kohore të bllokojnë qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore rreth qendrës së kryeqytetit.
Si pasojë e veprimeve në kundërshtim me ligjin dhe mosbindjes ndaj thirrjeve të njëpasnjëshme policore për qetësi, tre persona janë shoqëruar në stacionin policor. Ndaj tyre, autoritetet kompetente do të ndërmarrin hapat e mëtejmë ligjorë në koordinim të ngushtë me institucionet e drejtësisë.
Në raportin zyrtar bëhet e ditur se gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, ndërsa 11 qytetarë e protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësorë, kryesisht si pasojë e ekspozimit ndaj gazit lotsjellës. Të gjithëve u është ofruar menjëherë tretmani i nevojshëm shëndetësor.
Në komunikatë theksohet se Policia e Kosovës nuk ka ndërhyrë në asnjë rast ndaj atyre që kanë protestuar në mënyrë të qetë e demokratike. Ndërhyrja ka qenë e domosdoshme vetëm ndaj individëve që kanë shfaqur sjellje të dhunshme, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme publike për ruajtjen e qetësisë dhe respektimin e kornizave ligjore.
Ndonëse në orët e vona situata është qetësuar dhe protestuesit kanë vazhduar tubimin e tyre në mënyrë të qetë, efektivët e policisë do të vazhdojnë të qëndrojnë në terren. Policia e Kosovës rikonfirmoi përkushtimin e saj për garantimin e rendit, mbrojtjen e pronës publike e private dhe ruajtjen e sigurisë së përgjithshme për të gjithë qytetarët.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: