Politikë
Larim nga LDK-ja: Asambleisti i Obiliqit heq dorë nga partia për shkak të qëndrimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Reklamë e Sponsorizuar
Labinot Mirena, anëtar i Kuvendit Komunal të Obiliqit, ka zyrtarizuar dorëheqjen e tij të parevokueshme nga të gjitha pozitat dhe strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa ka bërë të ditur se rrugëtimin politik do ta vijojë si përfaqësues i pavarur.
Arsyeja kryesore e këtij vendimi, sipas Mirenës, lidhet drejtpërdrejt me qëndrimin që subjekti i tij i deritanishëm ka mbajtur karshi ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët aktualisht po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
"Nuk e pranoj dhe nuk pajtohem me qëndrimin e LDK’së ndaj krerëve të UÇK’së që po gjykohen në Hagë. Për mua, kjo nuk është vetëm çështje politike apo partiake, por çështje parimesh dhe bindjesh personale, mbi të cilat nuk mund të bëj kompromis", ka theksuar ai në deklaratën e tij.
Mirena ka shtuar se qasja e partisë në këtë temë të ndjeshme është në kundërshtim të plotë me idealet dhe vlerat që ai mbështet dhe mbron vazhdimisht.
"Qëndrimi i LDK’së për këtë çështje bie ndesh me vlerat dhe bindjet që kam përfaqësuar dhe vazhdoj t’i përfaqësoj. Për këtë arsye, nuk mund të vazhdoj të jem pjesë e një subjekti politik me të cilin, në një çështje kaq të rëndësishme, kam dallime thelbësore", ka pohuar ai.
Pavarësisht këtij hapi, ai ka konfirmuar se nuk do tërhiqet nga jeta institucionale lokale, duke garantuar se do të vazhdojë angazhimin e tij në Kuvendin Komunal të Obiliqit.
"Mandatin tim në Kuvendin Komunal të Obiliqit do ta vazhdoj si asambleist i pavarur, me qëndrime të qarta dhe me përgjegjësi para qytetarëve të Obiliqit që më kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar", ka përfunduar Mirena.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: