Kronikë
Presidenti Begaj: Pjekuria dhe integriteti i magjistratëve të rinj çelësi i suksesit për drejtësinë evropiane të Shqipërisë
Reklamë e Sponsorizuar
Kreu i Shtetit, Bajram Begaj, ka marrë pjesë në nisjen zyrtare të vitit akademik 2026-2027 pranë Shkollës së Magjistraturës, ku u është drejtuar me një mesazh të veçantë gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj, kandidatëve për këto pozita, avokatëve të shtetit dhe ndihmësve gjyqtarë.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti vuri theksin te roli i pazëvendësueshëm i integritetit dhe aftësive profesionale të gjeneratës së re të magjistratëve, duke i cilësuar ato si elementë përcaktues për ecurinë e sistemit të reformuar të drejtësisë në këtë periudhë kyçe për integrimin evropian të vendit.
“Ju keni një epërsi historike, pasi po hyni në një sistem të rekrutuar dhe ndërtuar nga vetë reforma. Por kjo shoqërohet me një detyrim më të madh: do të jeni ju, përmes etikës dhe profesionalizmit tuaj, që do t’i jepni jetë dhe efektivitet këtij sistemi”, deklaroi ndër të tjera kreu i shtetit.
Sipas Begajt, ushtrimi i këtij profesioni kërkon shumë më tepër sesa thjesht zotërimin e neneve dhe ligjeve, duke vënë në pah nevojën për karakter të fortë, integritet moral, pjekuri dhe ndjenjë të lartë detyrimi ndaj shoqërisë.
“Përkushtimi juaj ndaj parimeve dhe dëshira për t’i shërbyer së vërtetës janë themeli i një shoqërie të ndershme, paqësore dhe të bazuar te vlerat. Ky profesion kërkon jo vetëm dituri juridike, por mbi të gjitha personalitet dhe përgjegjësi qytetare”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Presidenti shtoi se dyert e Shkollës së Magjistraturës nuk duhet të shihen thjesht si një mjedis për t’u pajisur me diploma dhe teori, por si vatra ku ndërtohet misioni i ardhshëm i drejtësisë.
“Ato nuk janë thjesht auditorë ku mësohet ligji, por hapësira ku formoheni si misionarë të së drejtës. Magjistrati nuk kufizohet te zbatimi i paragrafit, por është mbrojtës i lirive të qytetarit dhe gardian i Kushtetutës”, theksoi Begaj.
Kreu i Shtetit ndaloi gjithashtu te besimi i publikut te drejtësia, duke e quajtur atë pasurinë më të çmuar që duhet fituar me çdo kusht dhe ruajtur me fanatizëm.
“Aseti më i madh i këtij sistemi është besimi: bindja e qytetarit se zëri i tij dëgjohet, se çështja e tij trajtohet pa anësi, se ligji është i barabartë për këdo dhe se pushteti i gjykatës ushtrohet me përguljen që lyp shteti i së drejtës”, u shpreh Presidenti.
Duke analizuar fazën aktuale të reformës, Begaj u shpreh se institucionet e reja janë konsoliduar dhe tanimë sistemi ka kaluar në një stad tjetër, atë të prodhimit të rezultateve konkrete.
“Me përmbylljen e vetingut dhe funksionimin e strukturave të reja, sidomos SPAK-ut dhe gjykatave të posaçme, është krijuar një standard i ri kundër pandëshkueshmërisë. Goditja e abuzuesve me pushtet politik a ekonomik dëshmon se drejtësia shqiptare ka hyrë në epokën e rezultateve dhe të funksionimit të plotë”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, Presidenti Begaj ritheksoi se pavarësia e gjyqësorit mbetet shtylla kurrizore e shtetit të së drejtës, duke nënkuptuar një pushtet të lirë nga çdo ndikim i jashtëm dhe i bindur vetëm ndaj ligjit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: