Politikë
Analiza e sigurisë: Si po e shfrytëzon Beogradi Kosovën për mbijetesë politike dhe çfarë tregon mbështetja e Moskës për Vuçiqin
Reklamë e Sponsorizuar
Dinamikat politike në Serbi dhe lidhjet e ngushta të Kremlinit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, paraqesin rrezik konkret edhe për sigurinë e Kosovës. Sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi, Beogradi vazhdon ta trajtojë Kosovën si një instrument të përshtatshëm politik për nevojat e brendshme, sidomos për të nxitur ndjenjat nacionaliste dhe për të siguruar mbështetje elektorale.
Në një prononcim për opinionin publik, Kuçi ka shpjeguar se regjioni po përballet me një strategji ku Kosova shërben në dy drejtime kryesore: së pari, për të mbajtur në këmbë pushtetin e strukturave aktuale në Serbi, dhe së dyti, për t'u shitur ndërkombëtarëve imazhin e një faktori që mund të garantojë apo prishë stabilitetin rajonal sipas interesit të tij. Ai vuri në dukje se ky qushtet synon të ulë presionin e diplomacisë perëndimore ndaj Vuçiqit, ndërkohë që po ushtrohet trysni e madhe që në territorin e Republikës së Kosovës të lejohen sërish procese zgjedhore ilegale, njëlloj si në të kaluarën.
Duke analizuar mbështetjen e hapur që presidenti rus, Vladimir Putin, i jep homologut të tij serb, eksperti i sigurisë vlerësoi se kjo dëshmon dështimin e çdo pretendimi se Beagradi është shkëputur nga ndikimi rus. Sipas tij, kjo qasje konfirmon se synimet e projektit të ashtuquajtur “Bota Serbe” dhe atij të “Botës Ruse” janë të ndërlidhura ngushtë që nga koha kur u bekuan nga Kisha Ortodokse Ruse, duke krijuar kështu një front të koordinuar strategjik për të zgjeruar ndikimin e tyre në gjithë Ballkanin.
Në dritën e këtyre zhvillimeve dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Serbisë dhe Rusisë, Kuçi ka ngritur alarmin edhe për rrezikun e luftës hibride. Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të jenë tejet të përgatitura dhe vigjilente përballë çdo skenari të mundshëm, duke përfshirë kërcënimet kibernetike, incidentet e orkestruara dhe përpjekjet për nxitjen e konflikteve që synojnë destabilizimin e vendit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: