Kronikë
Trump: Teherani ka hequr dorë nga programi bërthamor, çmimet e naftës në rënie
Reklamë e Sponsorizuar
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Irani "praktikisht ka hequr dorë" nga ambiciet për të poseduar armë bërthamore. Ky ishte një nga objektivat kryesorë të administratës së tij që në nisje të konfliktit me Teheranin, i cili tashmë ka hyrë në muajin e tij të tetë.
Gjatë ditës së shtunë, kreu i Shtëpisë së Bardhë po ashtu bëri të ditur se tregu i naftës po shënon rënie çmimesh, pasi lënda e parë kishte shënuar nivele të larta pas operacioneve ushtarake të ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit më 28 shkurt.
"Çmimi i naftës po bie. Aktualisht nafta është më e lirë; madje çmimi është më i ulët se sa ishte gjatë administratës së (Joe) Bidenit – e cila nuk bëri asgjë lidhur me faktin se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore", u është drejtuar Trump gazetarëve para se të nisej drejt shtetit të Ohajos për të marrë pjesë në një tubim politik.
"Për më tepër, siç e dini, Irani praktikisht ka hequr dorë nga çdo plan për armë bërthamore", shtoi ai më tej.
Në anën tjetër, Teherani zyrtar ka mohuar vazhdimisht pretendimet e Uashingtonit dhe Tel Avivit se synon zhvillimin e armëve atomike. Ky qëndrim u ritheksua edhe nga presidenti Masoud Pezeshkian muajin e kaluar në Nju Jork, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Pezeshkian theksoj se vendi i tij nuk kërkon armë bërthamore për shkak të një ndalese fetare, duke ofruar gjithashtu uljen e rezervave të uraniumit të pasuruar nën monitorimin e ndërkombëtarëve.
Megjithatë, autoritetet iraniane kanë këmbëngulur se nuk do të bëjnë kurrfarë kompromisi sa i përket programit civil dhe paqësor bërthamor, dhe as nuk do të pranojnë lëshime strukturore nëse SHBA-ja nuk heq sanksionet ekonomike ndaj vendit.
Të shtunën, Trump udhëtoi drejt Ohajos, ku Partia Republikane po përballet me një garë të fortë për një ulëse në Senatin amerikan, në përpjekje e sipër për të ruajtur shumicën e saj të ngushtë në Kongres.
Disa senatorë republikanë në detyrë anembanë SHBA-së po ndiejnë presionin e zgjedhësve, pasi mbështetja për luftën ndaj Iranit ka shënuar rënie, ndërkohë që kostot e larta të karburanteve dhe mallrave bazë mbeten shqetësim kryesor.
Ndërkohë, raportimet tregojnë se ushtria amerikane ka dislokuar dy bateri shtesë të sistemeve raketore "Patriot" për të siguruar mbrojtjen e infrastrukturës energjetike në Arabinë Saudite dhe Katar, si pjesë e përgatitjeve për skenare të mundshme të reja ushtarake ndaj Iranit.
Sipas të dhënave, njëra bateri u dërgua muajin e kaluar në territorin saudit për të ruajtur një impiant kyç nafte, ndërsa tjetra u pozicionua në Katar për të mbrojtur një objekt të rëndësishëm të gazit natyror.
Këto lëvizje ushtarake kishin për qëllim t'i jepnin siguri të dyja shteteve se Uashingtoni do të angazhohet për mbrojtjen e burimeve të tyre kritike të energjisë, në rast se Shtetet e Bashkuara vendosin të rifillojnë sulmet e gjera luftarake kundër Iranit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: