Aktuale
Tragjedia e puseve të pambuluara në Afganistan: Si u shpëtua mrekullisht 5-vjeçari që ra 70 metra nën tokë
Reklamë e Sponsorizuar
I mbledhur kruspull në një cep, 70 metra nën tokë, në një ambient të errët, të ftohtë e të lagësht, ku uji i kulluar i pikonte vazhdimisht mbi trup, i mituriku qëndronte i pushtuar nga frika. Sipër tij, dhjetëra burra ndiqnin çdo lëvizje përmes ekranit të një kamera të lëshuar nga ekipet e emergjencës. Ngjarja dramatike kishte ndodhur dy ditë më parë në provincën jugore afgane të Kandaharit, kur pesëvjeçari Zainullah kishte rënë në një pus të ngushtë dhe të tharë teksa po luante me bashkmoshatarët e tij.
Pavarësisht rënies me një thellësi të ngjashme me gjerësinë e një fusha futbolli, mrekullisht i mituriku kishte shpëtuar pa lëndime fatale. Megjithatë, situata paraqitej tejet kritike; me një diametër prej vetëm 30 centimetrash, boshti i pusit ishte tepër i ngushtë që të futej një i rritur, ndërkohë që vetë Zainullah ishte shumë i vogël dhe i tronditur për të siguruar litarin rreth trupit të tij.
Të gjitha përpjekjet fillestare të shpëtimtarëve kishin dështuar, madje edhe tre fëmijë të tjerë që kishin tentuar të zbrisnin ishin detyruar të ktheheshin për shkak të mungesës së ajrit dhe hapësirës tejet të kufizuar. Në këto kushte dëshpërimi, autoritetet vendase kërkuan ndihmën e 11-vjeçarit Hazrat Omar, i cili kishte përvojë të mëparshme në operacione të ngjashme nëntokësore.
Pavarësisht kundërshtimeve dhe frikës së të rriturve, Hazrati pranoi të ndërmerrte këtë mision shpëtimi pas miratimit të xhaxhait të tij. Në përpjekjen e parë, zbritja e tij përfundoi me vështirësi pasi trupi iu bllokua në grykën e ngushtë dhe u desh të tërhiqej sërish lart pasi pësoi lëndime të lehta në shpatulla dhe kofshë.
Megjithatë, në përpjekjen e dytë, i miturit i buzëqeshi fati dhe arriti të zbriste deri në fund të boshtit. Nën sytë e qindra banorëve që prisnin me ankth në sipërfaqe, burrat nisën të tërhiqnin litarin me kujdes maksimal, derisa dy djemtë dolën më në fund në dritën e diellit.
Ky incident nxjerr në pah një problem madhor në mbarë Afganistanin, ku kriza e ujit ka detyruar fermerët të hapin qindra mijëra puse të thella, të cilat shpesh mbeten të pambuluara siç duhet dhe shndërrohen në kurthe vdekjeprurëse. Pusi ku kishte rënë i mituri ishte tharë dy vjet më parë, ndërsa mbulimi i tij me dru dhe dhe ishte shkatërruar me kalimin e kohës për shkak të kalbjes së materialit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: