Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Vera nuk ikën nga Saranda: Plazhet e jugut gumëzhijnë nga turistët edhe në muajin tetor

Redaksia Lajmetereja • 03-10-2026 16:21
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Vera nuk ikën nga Saranda: Plazhet e jugut gumëzhijnë nga turistët edhe në muajin tetor
Pavarësisht se kalendarikisht kemi hyrë në muajin tetor, vija bregdetare e Sarandës vazhdon të ruajë gjallërinë e verës. Ditët me diell dhe temperaturat e larta për këtë periudhë të vitit kanë bërë që qyteti jugor tërheqë sërish numër të lartë vizitorësh, vendas dhe të huaj. Në plazhet e qytetit, turistët shfrytëzojnë motin e qëndrueshëm për të marrë rreze dielli, për t'u larë në det dhe për të shijuar atmosferën relaksuese që karakterizon fundin e sezonit turistik. Ky fenomen ka zgjatur ndjeshëm kohëzgjatjen e sezonit, duke e kthyer Sarandën në një pikë referimi për turizmin gjatë gjithë vitit. “Kemi ardhur për disa ditë pushim. Temperatura është e këndshme. Po shijojmë detin dhe diellin. Dhe për këtë periudhë të vitit uji është shumë mirë. Është hera e parë këtu për ne. Çmimet në Sarandë dhe në Shqipëri në përgjithësi janë në rregull. Është pak më e shtrenjtë nga sa mendonim, por gjithsesi është më lirë se çdo vend tjetër i Mesdheut. Ne jemi nga Anglia dhe dua të them se ne nuk e kemi këtë mot atje”, u shpreh një turist. Në të njëjtën linjë janë edhe përshtypjet e vizitorëve të tjerë, të cilët mbeten të mahnitur nga bukuritë e bregdetit shqiptar dhe mundësitë që ofron ky rajon. “Është hera jonë e parë këtu dhe e kemi zgjedhur këtë destinacion duke u fokusuar kryesisht te plazhet që dëshironim të vizitonim. Deri tani kemi kaluar shumë mirë dhe jemi shumë të kënaqur me përvojën tonë. Në përgjithësi, jemi të impresionuar nga vendi dhe atmosfera. Po, absolutisht që do të rikthehemi përsëri. Edhe bashkëshorti im e thotë gjithmonë këtë, se ky është një destinacion ku do të vijmë sërish në të ardhmen”, tha një turiste tjetër. Falë këtyre kushteve të favorshme klimatike dhe interesit të vazhdueshëm të udhëtarëve të huaj, Saranda dëshmon edhe njëherë potencialin e saj të jashtëzakonshëm për të mbetur një destinacion aktiv turistik edhe tej kufijve të muajve të verës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar