Aktuale
Rasti i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Avokati i Popullit: Vëmendja kryesore duhet të zhvendoset te shkalla e Apelit
Reklamë e Sponsorizuar
Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm dhe konkretë në lidhje me zhvillimet gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me drejtësinë në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ky apel ka ardhur nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i cili ka theksuar se i gjithë angazhimi shtetëror tani duhet të përqendrohet te faza e apelit.
Sipas Qelajt, është jetike që hapat e institucioneve të jenë të mirëkoordinuar dhe të mbështetur mbi një strategji të qartë veprimi. Duke vlerësuar situatën aktuale, ai u shpreh se tashmë beteja në shkallën e parë ka përfunduar dhe vëmendja duhet të drejtohet andej ku mund të ndikohet pozitivisht.
"Unë mendoj që krejt vëmendja jonë duhet me u fokusu tek apeli, sepse ne kemi humbur betejën në gjykatë. Në gjykatë duhet të fitohet drejtësia. Ne nuk po luftojmë dhe nuk është interesi i qytetarëve të Republikës së Kosovës me e zhvillu politikë karshi gjykatës, por me e kërku prej gjykatës drejtësi", u shpreh Qelaj.
Krahas domosdoshmërisë për ndryshime të mundshme ligjore dhe themelimit të një mekanizmi shtetëror për harmonizimin e veprimeve, Avokati i Popullit bëri thirrje që shqetësimet e vendit të ngrihen zyrtarisht edhe para instancave evropiane, si Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës.
"Duhet me kërku përgjegjësi prej tyre, sepse në fund të fundit, në çdo komunikim që unë kam pas me nivelet e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës është thënë që nuk do të ketë ndërhyrje në drejtësi, që ata nuk ndërhyjnë në këto çështje", shtoi ai.
Në përmbyllje të prononcimit të tij, Qelaj kritikoi qasjen e zyrtarëve ndërkombëtarë, duke theksuar se ata duket se kanë anashkaluar rolin e tyre mbikëqyrës. "Po sa duket kanë harruar që ata mbikëqyrin respektimin e standardeve edhe të gjykatave kur flitet për sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut", përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: