Kronikë
Gruda: Gjykata Kushtetuese në Hagë s'do të ketë fuqi të shfuqizojë ligjin e ri, kompetenca i mbetet Prishtinës
Reklamë e Sponsorizuar
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka deklaruar se Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë nuk do të ketë juridiksion për të kontrolluar apo shfuqizuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, nëse miratohen ndryshimet e propozuara nga PDK-ja.
Përmes një shkrimi në Facebook, Gruda ka theksuar se me projektligjin e propozuar nga PDK-ja është përcaktuar shprehimisht kufiri i juridiksionit të Dhomës së Specializuar Kushtetuese në Hagë.
Sipas tij, Amendamenti nr. 24 i Kushtetutës përcakton se Dhoma e Specializuar Kushtetuese, e përbërë nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë, vendos “ekskluzivisht mbi referimet kushtetuese sipas Nenit 113 të Kushtetutës në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në përputhje me ligjin e veçantë”.
Gruda ka bërë të ditur se pikërisht mbi këtë bazë, në nenin 23 të projektligjit të propozuar është përcaktuar se Dhoma Kushtetuese në Hagë vendos vetëm për referimet kushtetuese që burojnë nga vendimet, urdhrat ose aktgjykimet e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Neni 23 përcakton se ajo vendos vetëm për referimet kushtetuese që burojnë nga vendimet, urdhrat ose aktgjykimet e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, ka shkruar Gruda.
Ai ka shpjeguar se projektligji e përjashton shprehimisht kontrollin abstrakt, paraprak, konkret dhe incidental të kushtetutshmërisë së ligjeve nga juridiksioni i kësaj Dhome.
“Nuk ka juridiksion për kontrollin abstrakt (paraprak), konkret dhe incidental të kushtetutshmërisë së ligjeve ose Ligjit Nr. 05/L-053”, ka thënë Gruda.
Sipas tij, projektligji përcakton gjithashtu se kontrolli i kushtetutshmërisë së Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe i ligjeve që e ndryshojnë, plotësojnë ose shfuqizojnë atë, do të bëhet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
“Kontrolli i kushtetutshmërisë së këtij ligji, si dhe i ligjeve me të cilat ndryshohet, plotësohet ose shfuqizohet Ligji Nr. 05/L-053, ushtrohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë, në pajtim me nenin 113 të Kushtetutës”, ka shkruar ai.
Gruda ka hedhur poshtë interpretimet se, pas miratimit të ndryshimeve, ligji mund të dërgohet në Dhomën e Specializuar Kushtetuese në Hagë dhe të shfuqizohet prej saj.
“Prandaj, sipas ndryshimeve të propozuara, Dhoma Kushtetuese në Hagë nuk do të ketë juridiksion për ta kontrolluar apo shfuqizuar këtë ligj”, ka thënë Gruda.
Ai ka shtuar se Dhoma e Specializuar Kushtetuese në Hagë nuk përbën një gjykatë kushtetuese të ndarë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por është një dhomë e specializuar me juridiksion të posaçëm.
“Ajo nuk është një Gjykatë Kushtetuese e veçantë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por një Dhomë e Specializuar me juridiksion të posaçëm”, ka deklaruar deputeti i PDK-së.
Sipas tij, në rast të miratimit të ndryshimeve të propozuara, kompetenca për kontrollin kushtetues të akteve të Kuvendit, përfshirë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, do t’i mbetet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Prishtinë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: