Aktuale
E ardhmja e Haaland dhe yjeve të Cityt në pikëpyetje: Pse largimi nga klubi mund të mos jetë kaq i lehtë
Reklamë e Sponsorizuar
Erling Haaland rrezikon të mbetet i lidhur me Manchester Cityn, pavarësisht spekulimeve se ai mund të prishë njëkahësisht marrëveshjen e tij. Kjo situatë vjen pas vendimit të një komisioni të pavarur, i cili e shpalli klubin fajtor për 114 nga 115 akuzat e ngritura nga Premierliga, që kryesisht lidhen me shkelje financiare të ndodhura gjatë periudhës 2009-2018.
Sipas gjetjeve, City u konstatua se ka përdorur kontrata të cilat Premierliga i ka cilësuar si “fiktive”, me qëllim të fryrjes artificiale të të ardhurave dhe uljes së shpenzimeve. Organi drejtues i kampionatit anglez pretendon se klubi kishte orkestruar skema financimi përmes partnerëve komercialë, vlera e të cilave kalon shifrën e 830 milionë paundëve.
Gjithashtu, komisioni e gjeti fajtor skuadrën nga “Etihad Stadium” për pothuajse të gjitha akuzat e ngritura për mungesë bashkëpunimi gjatë hetimeve. Në vendim theksohet se “një numër dëshmitarësh të rëndësishëm të klubit dhanë dëshmi të rreme në aspekte kyçe dhe se disa prej tyre me vetëdije dhanë dëshmi të pavërteta dhe të pandershme”.
Përveç shqetësimit të natyrshëm të tifozëve, kjo situatë ka vënë në lëvizje edhe agjentët e yjeve të skuadrës, të cilët po analizojnë skenarët e mundshëm për të ardhmen. Emri i Erling Haaland tashmë është lakuar pranë klubeve si Barcelona dhe Arsenal, ndërsa lojtarë të tjerë të bujshëm si Enzo Fernandez, Elliot Anderson dhe Gianluigi Donnarumma përfshihen në listën e atyre që mund të kërkojnë largimin nëse skuadra përballet me dënime drastike, përfshirë një zbritje masive pikësh që mund të rezultojë me rënie nga kategoria.
Gjatë një paraqitjeje në podcastin “Stick to Football” në fillim të kësaj jave, KC Paul Gilroy hodhi idenë se Haaland dhe pjesa tjetër e grupit mund t’i japin fund kontratave të tyre për t’u shndërruar në lojtarë të lirë, nëse do të arrinin të vërtetonin se klubi i kishte keqinformuar rreth shkeljeve.
Gilroy shpjegoi: “Tani, një lojtar mund të thotë: ‘Ju keni shkelur kushtin e nënkuptuar të besimit dhe mirëbesimit. Ju jeni punëdhënësi i im, keni vepruar në shkelje të këtij kushti dhe kjo më jep të drejtën të them se po e shkëpus kontratën time dhe po largohem.’ Kjo mbetet një mundësi, pavarësisht skepticizmit të disa komentatorëve. Gjithçka varet nga rrethanat, mënyra se si klubi do t’i adresojë këto çështje me lojtarët dhe zgjidhjet financiare”.
Nga ana tjetër, avokati sportiv Dan Chapman, partner menaxhues dhe drejtues i departamentit të ligjit sportiv në “Leathes Prior”, ka deklaruar për “TEAMtalk” se një rënie e mundshme nga liga nuk do t’u sigurojë automatikisht futbollistëve të drejtën për të prishur marrëveshjet, duke bërë që një largim i mundshëm për Haaland dhe të tjerët të jetë tejet i ndërlikuar.
“Nëse City do të binte nga kategoria në fund të këtij sezoni apo në një edicion të ardhshëm si pasojë e një ndëshkimi me pikë nga Komisioni, kjo nuk nënkupton se lojtarët fitojnë menjëherë të drejtën për të prishur kontratat dhe për t'u larguar,” u shpreh ai.
Chapman shtoi se megjithëse ekziston mundësia që ndonjë futbollist të ketë siguruar një klauzolë lirimi për rast rënieje nga kategoria, dispozita të tilla janë jashtëzakonisht të rralla dhe klubet pranojnë t'i përfshijnë vetëm në kushte tejet specifike.
Për më tepër, një skenar i tillë negativ mund të shoqërohet me ulje të ndjeshme të të ardhurave për futbollistët me pagat më të larta, ku aktualisht Haaland kryeson listën me një përfitim prej 500 mijë paundësh në javë.
Duke përmbyllur analizën e tij, Chapman theksoi: “Praktika më e zakonshme në raste të tilla është që vetë kontratat të përmbajnë klauzola të qarta që parashikojnë një reduktim të pagës së lojtarit në rast se skuadra bie nga kategoria”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: