Politikë
Goditje e rëndë për Sanchezin në Parlament, Spanja rrezikon zgjedhje të parakohshme këtë vjeshtë
Reklamë e Sponsorizuar
Spanja po përballet me një pasiguri të lartë politike dhe mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja gjatë vjeshtës, pasi ekzekutivi i drejtuar nga kryeministri Pedro Sanchez pësoi një disfatë të rëndësishme në Kuvend. Deputetët spanjollë votuan kundër dy dekreteve emergjente për strehimin, të cilat ishin hartuar me qëllim zbutjen e krizës së banesave në vend.
Konkretisht, dekreti i parë u rrëzua me 178 vota kundër dhe 172 pro, kurse dokumenti i detyrueshëm i dytë u kundërshtua nga 184 ligjvënës, kundrejt 166 votave pro. Kjo dështim në parlament ka intesifikuar presionet ndaj kryeministrit Sanchez për të thirrur zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që data 29 nëntor po lakohet gjerësisht si mundësi konkrete. Sipas raportimeve nga Spanja, kreu i qeverisë pritet të vendosë përfundimisht lidhur me këtë çështje deri të hënën.
Në të njëjtën kohë, tensionet sociale mbeten të larta, me mijëra qytetarë që vazhdojnë tubimet në sheshin ikonik "Puerta del Sol" në Madrid. Komiteti i qiramarrësve, i cili po udhëheq valën e protestave, ka paralajmëruar organizimin e demonstratave mbarëkombëtare më 3 tetor në kryeqytet dhe në 22 qytete të tjera të Spanjës.
Gjatë fjalës së tij në foltoren e Parlamentit, Sanchez u angazhua në mbrojtje të nismave, duke theksuar se ato nuk kishin në përbërje “asnjë ekstremizëm”, teksa u bëri thirrje forcave politike të tregojnë ndjeshmëri ndaj familjeve që po vuajnë nga rritja drastike e qirave. Nga ana e saj, Partia Popullore si opozita kryesore, kundërshtoi ashpër aktet, duke argumentuar se emergjenca e banimit nuk mund të zgjidhet përmes dekreteve, por kërkon politika aktive për ndërtimin e banesave të reja.
Sipas kabinetit qeveritar spanjoll, synimi kryesor i këtyre dekreteve ishte frenimi i spekulimeve financiare në tregun e patundshmërive, kufizimi i zgjerimit të qirave turistike dhe parandalimi i dëbimit të shtresave në nevojë nga shtëpitë e tyre. Ndër pikat më të diskutuara të paketës ishte edhe përcaktimi i rinovimit automatik dhe pa afat të kontratave ekzistuese të qirasë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: