Ekonomi
Valë pakënaqësish në treg: IQMT regjistron afro 300 ankesa konsumatorësh vetëm gjatë shtatorit
Reklamë e Sponsorizuar
Gjatë muajit shtator 2026, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar aktivitetet e mbikëqyrjes dhe kontrollit të tregut, duke realizuar gjithsej 656 inspektime në fusha të ndryshme, përfshirë mbikëqyrjen e naftës dhe derivateve të naftës, sigurinë e përgjithshme të produkteve, mbikëqyrjen e konsumit të tregut, kushtet minimale-teknike dhe mbikëqyrjen metrologjike.
Si rezultat i kontrolleve të zhvilluara, janë shqiptuar 15 gjoba për shkelje të ndryshme, ndërsa janë iniciuar edhe 7 lëndë në gjykatat kompetente për shkelje kundërvajtëse të konstatuara gjatë inspektimeve. Në kuadër të masave të ndërmarra, janë sekuestruar gjithsej 231 produkte, përfshirë lodra për fëmijë, helmeta pune, kabllo vazhduese, adapterë, mbushës, pajisje elektrike, cigare elektronike dhe produkte të tjera që kanë qenë objekt i kontrolleve inspektuese.
Një vëmendje e veçantë gjatë muajit shtator i është kushtuar edhe mbrojtjes së konsumatorit. Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit ka pranuar gjithsej 294 ankesa, që paraqet një rritje prej 144 ankesash krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Pjesa më e madhe e ankesave kanë të bëjnë me blerjet online, mospërputhjen e çmimeve dhe çështjet e garancisë, duke evidentuar fushat në të cilat konsumatorët vazhdojnë të përballen me problematika në raport me operatorët ekonomikë.
Të dhënat e muajit shtator pasqyrojnë një aktivitet të gjerë të IQMT-së në funksion të mbikëqyrjes së zbatimit të legjislacionit, identifikimit dhe trajtimit të parregullsive, si dhe garantimit të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve. Rritja e numrit të ankesave të konsumatorëve njëkohësisht nënvizon rëndësinë e informimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për të drejtat e tyre dhe respektimit të detyrimeve ligjore nga operatorët ekonomikë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: