Sport
Martinez alarmohet te Interi: Po lëshojmë shumë terren, ja ku duhet të ndryshojmë
Reklamë e Sponsorizuar
Portieri i Interit, Josep Martinez, ka analizuar ecurinë e skuadrës gjatë gjysmës së parë të sezonit, duke vënë theksin te problemet defensive dhe numrin e lartë të golave të pësuar. Ai u tregua i prerë se faji nuk duhet t'i faturohet vetëm repartit të prapavijës apo vetëm atij personalisht.
“Jemi në formë të mirë, por po pësojmë shumë gola. Është e lehtë të fajësosh portierin, por ne jemi një skuadër. Nga lojtari i parë e deri te i fundit, të gjithë duhet ta rrisim nivelin tonë. Besoj se do ta bëjmë, sepse nëse kemi një karakteristikë, ajo është se jemi gjithmonë të etur për sukses”, u shpreh gardiani spanjoll në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’.
Sipas Martinez, zikaltrit kanë ambicie të qarta për të dominuar dhe për të arritur majat kur të vijë koha e shpërblimeve. Ai theksoi se dëshira për fitore kërkon përmirësim të vazhdueshëm në çdo duel të vetëm.
“Duam gjithmonë të fitojmë, të përmirësohemi dhe të shtojmë diçka të re në lojën tonë në çdo ndeshje, në mënyrë që të jemi në kulmin e formës gjatë momenteve vendimtare të sezonit”, shtoi ai.
Duke analizuar detajet e ndeshjeve, portieri spanjoll pranoi se grupi ka shfaqur momente ulje-ngritjesh, veçanërisht në fraksionet e para të sfidave, dukuri kjo që nuk lejohet në nivele të tilla.
“Patjetër që duhet t’i shqyrtojmë paraqitjet tona në pjesët e para; jemi relaksuar në situata të caktuara dhe nuk mund ta lejojmë këtë. Megjithatë, jam i qetë sepse skuadra është e vetëdijshme për problemin dhe do të përqendrohemi për ta zgjidhur atë”, përfundoi Martinez, duke shprehur besimin e plotë se Interi mund të garojë barabar me çdo kundërshtar, mjaftimisht që të mos u dhurojë avantazhe rivalëve në fushë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: