Sport
Edon Zhegrova zbulon ambiciet e mëdha te Juventusi dhe flet hapur për të ardhmen
Reklamë e Sponsorizuar
Edon Zhegrova ka hedhur dritë mbi vendimin e tij për të vazhduar rrugëtimin te Juventusi, duke lënë pas pasiguritë që karakterizuan merkaton e verës.
Sulmuesi nga Kosova, i cili u hodh në fushë në minutën e 77-të të sfidës kundër Izraelit në Debrecen, ka ndarë detaje në një intervistë për “Sportmediaset”, ku ka konfirmuar se preferenca e tij absolute ishte mbetja në Torino.
“E dua këtë klub dhe dua të arrij diçka të madhe. Kur nënshkrova isha shumë i lumtur dhe nuk doja të largohesha në këtë mënyrë. Doja të qëndroja dhe tani dua të bëj gjëra të mëdha”, deklaroi Zhegrova.
Sulmuesi 27-vjeçar ka theksuar se ambientimi te “Zonja e Vjetër” po shkon në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shprehur admirim për ambientin që e rrethon.
“Jam i lumtur që jam këtu. Është klub i madh dhe jam i kënaqur me bashkëlojtarët, klubin, trajnerin dhe gjithë ekipin. Do ta jap më të mirën nga vetja sa herë që të jem në fushë”, u shpreh ai.
Edhe pse nuk figuron në listën zyrtare të Juventusit për ndeshjet e Ligës së Evropës, Zhegrova tregon qasje profesionale ndaj zgjedhjeve të stafit teknik.
“Do ta bëj më të mirën dhe e respektoj çdo vendim. Kemi ekip të mirë dhe luajmë për të fituar. Nuk dua të flas nëse jemi më të mirë se Interi, por Juventusi është gjithmonë më i mirë”, tha ai me shaka.
Në lidhje me paraqitjet e tij, një opinion pozitiv ka dhënë edhe ish-sulmuesi i njohur i Juventusit, Fabrizio Ravanelli. Ky i fundit ka analizuar tiparet e lojës së anësorit kosovar dhe ka zbuluar se ka pasur disa biseda me trajnerin Luciano Spalletti për të.
Duke marrë në mbrojtje lojtarin, Ravanelli ka theksuar se humbja e disa topave është e natyrshme për profilin e tij sulmues.
“Nëse Zhegrova humb disa topa, kjo është sepse ai rrezikon dhe tenton vazhdimisht të bëjë aksione. Dëshiron të jetë vendimtar. Në Serie A shoh shumë lojtarë që e pranojnë topin dhe e kthejnë prapa”, ka deklaruar Ravanelli.
Për sa i përket statistikave këtë edicion, Zhegrova tashmë ka arritur të lërë shenjë me fanellën e bardhezinjve, duke realizuar dy gola dhe duke dhënë një asistim.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: