Politikë
Kryeministri Kurti dhe presidentja von der Leyen inspektojnë kampusin e ri të FShMN-së, projekt prej afro 18 milionë eurosh
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë zhvilluar gjatë ditës së enjte një vizitë në ambientet e reja të Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave Natyrore (FShMN) të Universitetit të Prishtinës.
Sipas njoftimit zyrtar për media, kostoja totale e këtij investimi të rëndësishëm kap shifrën e 17 milionë e 980 mijë eurove.
Bazuar në të dhënat e Zyrës së Kryeministrit, mbështetja financiare vjen kryesisht nga Bashkimi Evropian me një fond prej 11.9 milionë eurosh, ndërsa Universiteti i Prishtinës ka participuar me 5 milionë e 80 mijë euro. Po ashtu, Ministria e Arsimit ka kontribuar duke ndarë një buxhet shtesë prej 1 milion eurosh.
Infrastruktura e re e këtij fakulteti shtrihet në një sipërfaqe të përgjithshme prej afërsisht 14 mijë metrash katrorë, duke ofruar kushte optimale për punë.
Nga ky projekt modern parashihet të përfitojnë drejtpërdrejt rreth 2 mijë e 300 studentë të këtij institucioni të arsimit të lartë.
Tash e tutje, studentët do të kenë në shërbim hapësira bashkëkohore të pajisura me inventarin e nevojshëm dhe aparaturë moderne laboratorike, të shoqëruara edhe me terene të gjera në ambientet e jashtme.
Ky investim madhor është finalizuar në kuadër të marrëveshjes financiare të programit IPA 2020, e cila është lidhur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: