Aktuale
Protesta masive në mbrojtje të vlerave të luftës: Të hiqet njolla e padrejtë nga UÇK-ja dhe Kosova
Reklamë e Sponsorizuar
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, ka adresuar një fjalë të fuqishme para qytetarëve të mbledhur në shesh, duke kërkuar drejtësi meritore dhe të pakompromis për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë fjalimit të tij, Syla shprehu solidaritet të plotë me ish-krerët e UÇK-së, duke ironizuar se që nga 16 shtatori, çdo luftëtar i lirisë është etiketuar padrejtësisht si pjesë e të ashtuquajturës “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.
“Harrove edhe një epitet Berat, na jemi anëtarë edhe të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale prej 16 shtatorit, prej një Gjykate që nuk din çka ka ndodhur në vitet '98-'99 këtu, turpi i mbuloftë kudo që janë ata”, u shpreh ai para turmës.
Syla ngriti gjithashtu shqetësimin e thellë për rëndësinë që iu është kushtuar dosjeve të fabrikuara nga Serbia në proceset gjyqësore, duke i vënë ato përballë dëshmive të zyrtarëve të lartë amerikanë dhe anglezë.
“Si ka mundësi të jenë më të besueshme për këtë gjykatë dosjet e Serbisë, më shumë se dëshmitë e zyrtarëve amerikanë dhe anglezë. Kurrë nuk keni pasur dhe nuk do të keni aleatë më besnikë se ushtarët e UÇK-së”, theksoi ai.
Duke iu drejtuar botës demokratike, zyrtari i OVL UÇK-së bëri thirrje për një qasje të bazuar në të vërtetën, duke nënvizuar se nuk po kërkohen favore, por vetëm drejtësi e pastër.
“Sot nga ky shesh i mbushur me zemra që rrahin për atdheun, i bëjmë thirrje gjithë botës demokratike. Ne nuk kërkojmë favore, por drejtësi të pastër si loti, sepse nuk ka gjykatë në këtë rruzull tokësor që mund ta zhbëjë të vërtetën e pastër, të gjakut tonë për liri”, shtoi Syla.
Në vazhdim të fjalës së tij, ai paraqiti një bilanc të rëndë të proceseve gjyqësore ndaj ish-luftëtarëve që nga periudha e pasluftës, duke përmendur shifra alarmante të viteve të burgimit.
“E vërteta e drejtësisë ndërkombëtare e UÇK-së u përball me procese gjyqësore që nga viti 2000. Që nga paslufta, pjesëtarë e ish-komandantë të UÇK-së u ballafaquan me procese të shumta gjyqësore si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës. Le t’i kujtojmë disa prej tyre. Ato janë vendime të shkallës së parë dhe qëllimisht po dua të theksojmë tendencën e drejtësisë ndërkombëtare e cila mendueshëm ka provuar të nxjerrë dënime të larta. Grupi i Dukagjinit – Daut Haradinaj me shokë, 31 vjet burg. Grupi i Llapit – Remi me shokë, 45 vjet burg. Rasti i Kiçinës dhe Ramadanit – 185 vjet burg. Tribunali i Hagës – Fatmir Limaj me shokë, 3 vite proces, 13 vite Haradin Balaj i dënuar. Rasti i Ramush Haradinaj, procesi, paraburgimi i tij dhe i bashkëluftëtarëve të tij zgjaten rreth 9 vite në periudha të ndryshme”, u shpreh Syla.
Ai vazhdoi më tej me statistikat e dënimeve të tjera: “Rasti i Drenicës – Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku me shokë, 71 vjet burg të dënuar. Grupi i Kaçanikut – Ejup Runjeva me shokë, 20 vjet burg. Grupi i Gjilanit – i gjykuar në Serbi për akuza të lidhura me luftën në Kosovë, dënohet me 116 vjet burg. Po ashtu edhe komandanti i UÇPMB-së, Shefket Musliu qëndroi 9 vite në burg. Nëse i mbledhim vetëm këto raste dhe shifrat e përmendura, arrihet shifra mbi 500 vite burg për UÇK-së! Këto janë vetëm një pjesë e rasteve, duke lënë pa përfshirë shumë raste të tjera e grupe dhe individë që u ballafaquan me drejtësinë e me dënime të larta”.
Në mbyllje, Syla kritikoi ashpër vendimet e Dhomave të Specializuara, duke llogaritur se me dënimet e fundit, totali i viteve të burgut për pjesëtarët e UÇK-së ka kapur shifrën prej 627 vitesh.
“Dënimi i katër krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, e cila është e gjithkujt përpos e Kosovës, është vetëm vula e turpit të drejtësisë ndërkombëtare! Dënimi i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Salih Mustafës e Pjetër Shalës me 125 vite, e çon numrin e viteve me të cilat janë dënuar lufta jonë në 627 vjet burg! Ju, shtetet ndërkombëtare që na ndihmuat të çlirohemi dhe të ndërtojmë, kjo është e papranueshme”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: