Kronikë
“Prindi im nuk u flijua që ne të heshtim” – Fjalimi prekës i vajzës së dëshmorit Dr. Lec Gradica në tubimin “Jo në emrin tim”
Reklamë e Sponsorizuar
Në tubimin masiv të organizuar në shesh nën moton “Jo në emrin tim”, si shenjë kundërshtie ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e pranishme me një fjalim kuptimplotë ka qenë edhe Lavdie Gradica, e bija e mjekut dëshmor, Dr. Lec Gradica.
Gjatë fjalës së saj para qytetarëve, ajo solli në vëmendje kontributin e jashtëzakonshëm të babait të saj gjatë viteve të luftës, duke përmendur përpjekjet e tij titanike për t'u dalë në ndihmë të lënduarve dhe themelimin e Spitalit Ushtarak të Gradicës në vitin 1998.
“Sa krenare ndihem të flas para jush për pjesën më të lavdishme të historisë sonë, po aq dhimbje ndiej që, kaq vite pas luftës së lavdishme të UÇK-së, si popull ende po orvatemi t’i dëshmojmë botës se bijtë dhe bijat e kësaj toke, të cilët morën armët në dorë për të mbrojtur tokat tona, për të mbrojtur jetët tona dhe për të na sjellë lirinë, janë të pafajshëm. Liria është e drejta themelore e çdo njeriu në botë, ndërsa ne shqiptarët u desh ta paguanim shtrenjtë, me gjak e mund, brez pas brezi”, u shpreh ajo.
Gradica theksoi se angazhimi i të atit ishte i udhëhequr nga idealet e larta atdhetare dhe humanizmi i pastër për t'i shërbyer popullit të tij në momentet më kritike.
Ajo evokoi kujtimet e pranverës së vitit 1998 në fshatin Gradicë, ku prindërit e saj u vunë në shërbim të ushtarëve dhe banorëve lokalë, ndërsa misioni kryesor i mjekut ishte shpëtimi i jetëve pavarësisht rreziqeve të vazhdueshme.
“Babai im ishte mjek në luftë. Ishte aty për t’i shpëtuar jetët e të plagosurve, për t’i ndihmuar njerëzit dhe për t’i shërbyer popullit të tij. Edhe babi, si shumë liridashës dhe si mantelbardhë, iu përgjigj kushtrimit të atdheut qysh në ilegalitet, pa iu trembur syri. Babi, duke parë se nevojat shtoheshin dita-ditës, mori përsipër dhe e themeloi Spitalin Ushtarak të Gradicës, spital në të cilin u shëruan shumë plagë lirie”, u shpreh tutje ajo.
Sipas rrëfimit të saj, Dr. Lec Gradica qëndroi në vijën e parë të detyrës në terrenet e vështira të Qyqavicës deri në rënien e tij heroike më 24 shtator 1998.
Në fjalën e saj, ajo i kushtoi hapësirë edhe figurës së nënës, duke e cilësuar si një shtyllë frymëzimi që gjatë luftës u ballafaqua me humbjen e bashkëshortit dhe të babait të saj, që të dy dëshmorë të kombit.
“Unë jam rritur me mungesën dhe dhimbjen e një familjeje që humbi figurën atërore. Por jam rritur edhe me krenarinë se ai zgjodhi të ishte aty ku Kosova kishte më së shumti nevojë për detyrën. Prandaj sot nuk mund të hesht. Sepse babai im nuk dha jetën që ne të heshtim. Ai dha jetën për një Kosovë ku e vërteta të mos frikësohet, ku drejtësia të mos ketë standarde të dyfishta dhe ku sakrifica e atyre që luftuan për lirinë të mos barazohet me krimin e gjenocidin”, u shpreh ajo me emocione.
Duke komentuar aktgjykimin e fundit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ajo bëri të qartë se shoqëria dhe familjarët nuk do të lejojnë shtrembërimin apo rishkrimin e historisë së pastër të luftës.
Duke shprehur respektin për parimin e drejtësisë, ajo kërkoi që ajo të jetë e paanshme dhe e vërtetë, duke u dërguar një mesazh mbështetjeje të gjithë atyre që po përballen me këtë proces.
“Duke parë që sot në Hagë janë dënuar njerëz që janë pjesë e historisë sonë të luftës së UÇK-së, ne nuk do të lejojmë që ky aktgjykim të validohet e kjo histori të rishkruhet e as të shtrembërohet. Ne e respektojmë drejtësinë. Por drejtësia duhet të jetë e drejtë. Sot, nga ky shesh, dua t’u them atyre që janë në Hagë: ju nuk jeni vetëm. Pas jush janë familjet e atyre që u flijuan, pas jush janë fëmijët që u rritën pa prindërit e tyre, pas jush janë mijëra njerëz dhe gjithë populli liridashës që e kujton luftën e ndritur të UÇK-së”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: