Kronikë
“Babai nuk u flijua që ne të mbyllim gojën”: Fjalimi i fuqishëm i Lavdie Gradicës për drejtësinë ndaj UÇK-së
Reklamë e Sponsorizuar
Në tubimin masiv popullor të zhvilluar në shesh nën kauzën “Jo në emrin tim”, protestë kjo e organizuar kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka marrë fjalën Lavdie Gradica, e bija e mjekut dëshmor, Dr. Lec Gradica.
Gjatë fjalimit të saj para qytetarëve, Gradica solli në vëmendje kontributin e të atit gjatë periudhës së luftës, duke u ndalur te përpjekjet e tij për t'u ofruar ndihmë mjekësore të plagosurve. Ajo evokoi veprimtarinë e prindërve të saj përgjatë vitit 1998 dhe ngritjen e Spitalit Ushtarak të Gradicës, institucion ky shëndetësor ku u morën në trajtim shumë luftëtarë të plagosur.
“Sa krenare ndihem të flas para jush për pjesën më të lavdishme të historisë sonë, niq aq dhimbje ndiej që, kaq vite pas luftës së lavdishme të UÇK-së, si popull ende po orvatemi t’i dëshmojmë botës se bijtë dhe bijat e kësaj toke, të cilët morën armët në dorë për të mbrojtur tokat tona, për të mbrojtur jetët tona dhe për të na sjellë lirinë, janë të pafajshëm. Liria është e drejta themelore e çdo njeriu në botë, ndërsa ne shqiptarët u desh ta paguanim shtrenjtë, me gjak e mund, brez pas brezi”, u shpreh ajo.
Tutje, ajo theksoi se babai i saj, Lec Gradica, iu përgjigj thirrjes për të shërbyer në ato momente kritike, duke e cilësuar misionin e tij si thellësisht njerëzor dhe atdhetar.
Duke evokuar pranverën e vitit 1998, ajo tregoi se prindërit e saj qëndronin në Gradicë në shërbim të ushtarëve të UÇK-së dhe banorëve të zonës. Sipas saj, prioriteti absolut i të atit ishte shpëtimi i jetëve njerëzore dhe kurimi i të lënduarve, pavarësisht rreziqeve dhe kushteve ekstreme.
“Babai im ishte mjek në luftë. Ishte aty për t’i shpëtuar jetët e të plagosurve, për t’i ndihmuar njerëzit dhe për t’i shërbyer popullit të tij. Edhe babi, si shumë liridashës dhe si mantelbardhë, iu përgjigj kushtrimit të atdheut qysh në ilegalitet, pa iu trembur syri. Babi, duke parë se nevojat shtoheshin dita-ditës, mori përsipër dhe e themeloi Spitalin Ushtarak të Gradicës, spital në të cilin u shëruan shumë plagë lirie”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se Dr. Lec Gradica vazhdoi shërbimin e tij humanitar në malet e Qyqavicës deri në rënien e tij heroike më 24 shtator 1998.
Në fjalën e saj, Gradica përmendi edhe nënën e saj, të cilën e vlerësoi si shtyllë frymëzimi për tërë familjen, duke kujtuar se ajo pati fatin e rëndë të humbte në luftën e fundit edhe bashkëshortin edhe babanë, të dy të shpallur dëshmorë.
“Unë jam rritur me mungesën dhe dhimbjen e një familjeje që humbi figurën atërore. Por jam rritur edhe me krenarinë se ai zgjodhi të ishte aty ku Kosova kishte më së shumti nevojë për t’i shërbyer. Prandaj sot nuk mund të hesht. Sepse babai im nuk dha jetën që ne të heshtim. Ai dha jetën për një Kosovë ku e vërteta të mos frikësohet, ku drejtësia të mos ketë standarde de dyfishta dhe ku sakrifica e atyre që luftuan për lirinë të mos barazohet me krimin e gjenocidin”, deklaroi ajo.
Duke iu referuar vendimeve të fundit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ajo garantoi se familjarët e dëshmorëve dhe mbështetësit nuk do të lejojnë shtrembërimin apo rishkrimin e historisë së luftës.
Duke konfirmuar respektin për drejtësinë e vërtetë, ajo kërkoi që ajo të jetë e paanshme dhe e drejtë.
“Duke parë që sot në Hagë janë dënuar njerëz që janë pjesë e historisë sonë të UÇK-së, ne nuk do të lejojmë që ky aktgjykim të validohet e kjo histori të rishkruhet e as të shtrembërohet. Ne e respektojmë drejtësinë. Por drejtësia duhet të jetë e drejtë. Sot, nga ky shesh, dua t’u them atyre që janë në Hagë: ju nuk jeni vetëm. Pas jush janë familjet e atyre që u flijuan, pas jush janë fëmijët që u rritën pa prindërit e tyre, pas jush janë mijëra njerëz dhe gjithë populli liridashës që e kujton luftën e pastër të UÇK-së.”
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: