Kronikë
Valë arrestimesh në vend: Katër persona prangosen si shkaktarë të zjarrvënieve në Fier, Lushnjë e Memaliaj
Reklamë e Sponsorizuar
Strukturat e rendit kanë ndërmarrë një sërë operacionesh, duke vendosur në pranga katër persona të dyshuar si autorë të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia në qarqet e Fierit, Lushnjës dhe Memaliaj, të cilët rrezikuan seriozisht pronat dhe jetën e qytetarëve.
Në qarkun e Fierit, uniformat blu arrestuan 31-vjeçarin me iniciale D. D., banor i fshatit Pojan. Sipas hetimeve paraprake, i riu dyshohet se gjatë ditës së djeshme ka ndezur një vatër zjarri në pronën e tij, e cila për shkak të erës së fortë ka dalë jashtë kontrollit, duke u përhapur me shpejtësi dhe duke rrezikuar banesat përreth, si dhe sipërfaqe të konsiderueshme toke pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë.
Ndërkohë, operacionet e policisë në zonën e Lushnjës kanë çuar në ndalimin e dy shtetasve të tjerë. Bëhet fjalë për 56-vjeçarin A. S., i cili dyshohet se ndezi zjarr brenda ambientit të servisit të tij, flakët e të cilit u përhapën duke djegur pjesë automjetesh dhe ullishte në pronësi të një qytetari tjetër. Po ashtu, u vu në pranga 49-vjeçari D. G., banues në fshatin Golem, pasi dyshohet se dogji mbeturina në tokën e tij, por flakët u shpërndanë duke shkatërruar bimësi të egër, kanale vaditëse dhe duke rrezikuar drejtpërdrejt disa sera në afërsi.
Një tjetër rast i zjarrvënies është regjistruar në Memaliaj, ku policia ka arrestuar në flagrancë 76-vjeçarin Q. Sh., banor i fshatit Vasjar.
Sipas njoftimit zyrtar, i moshuari u kap mbrëmë në afërsi të vatrave të zjarrit në vendin e quajtur “Gropa e Dardhës”. Ai dyshohet se kishte ndezur zjarr për pastrimin e sipërfaqeve të tokës që i kishte me qira, si dhe në pronësi shtetërore.
Si pasojë e kësaj ngjarjeje, janë shkrumbuar rreth 4000 metra katrorë sipërfaqe tokësore, që përfshijnë pyje, kullota dhe bimësi të ndryshme.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për ndjekjen e mëtejshme ligjore të veprave penale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: