Sport
Arsyet e forta pas vendimit: Pse KH Kastrioti do t'i luajë të dyja ndeshjet evropiane në Itali?
Reklamë e Sponsorizuar
Kastrioti është vendosur përballë një sfide të papritur sa i takon paraqitjes së tij në Kupën Evropiane të hendbollit, pasi të dyja takimet do t'i zhvillojë jashtë vendit, konkretisht në Itali.
Skuadra nga Ferizaj, e cila mban statusin e kampionit të Kosovës, fituesit të Kupës dhe të Superkupës, nuk do të ketë mundësinë që sfidën e parë ta presë para publikut të saj kundër skuadrës italiane Raimond Sassari.
Bazuar në akordin e arritur mes dy klubeve, përballjet e dyfishta do të organizohen në qytetin e Sassarit, përkatësisht në datat 17 dhe 18 tetor.
Megjithatë, pas këtij vendimi që e detyron skuadrën ferizajase të heqë dorë nga terreni vendës dhe mbështetja e tifozëve, fshihet një histori e dhimbshme financiare.
Sipas informacioneve ekskluzive, KH Kastrioti është detyruar të ndjekë këtë rrugë për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm dhe mungesës së përkrahjes monetare.
“Nuk kemi pasur mbështetje të mjaftueshme financiare dhe, mes të këqijave, kemi zgjedhur që t’i luajmë të dyja ndeshjet në Itali”, ka deklaruar një nga anëtarët e kryesisë së klubit nga Ferizaj.
Ky vendim drastik ka ardhur si pasojë e shpenzimeve të larta që kërkon organizimi i një ndeshjeje në arenën ndërkombëtare në Ferizaj, duke përfshirë mbulimin e kostove për akomodimin e klubit kundërshtar dhe shpenzimet e tjera logjistike.
Duke mos pasur mundësi financiare për t'i përballuar këto detyrime, klubi është detyruar që kundër dëshirës së tij t'i zhvillojë të dyja ndeshjet e radhës kundër Raimond Sassarit në tokën italiane.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: