Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Gjermani: Dy shtetas kosovarë bien në pranga për zjarrvënie të rëndë dhe dyshime për tentativë vrasjeje

Redaksia Lajmetereja • 01-10-2026 10:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Gjermani: Dy shtetas kosovarë bien në pranga për zjarrvënie të rëndë dhe dyshime për tentativë vrasjeje
Autoritetet gjermane kanë vënë në pranga dy shtetas nga Kosova, të moshës 58 dhe 37 vjeç, të cilët ndodhen tashmë në masën e paraburgimit. Ata dyshohen seriozisht për përfshirje në dy ngjarje të ndara të zjarrvënies në ndërtesa banimi, ndërsa për njërin prej rasteve hetuesit po trajtojnë pistën e tentativës për vrasje. Operacioni hetimor, i drejtuar nga Policia e Ludwigsburgut dhe Prokuroria e Stuttgartit, ka lidhur dy të dyshuarit me ngjarje të regjistruara në nëntor të vitit 2025 dhe mars të vitit 2026. Incidenti i parë ka ndodhur më 11 nëntor 2025 në një banesë në katin përdhes të një pallati në Brunnenstraße të Böblingenit. Rreth orës 19:15, një banor dëgjoi një shpërthim të fuqishëm dhe konstatoi se apartamenti ishte përfshirë nga flakët. Zjarri dëmtoi gjithashtu ballkonin, kurse nxehtësia ekstreme shkaktoi thyerjen e xhamave të dritareve. Për arsye paraprake sigurie u evakuuan afërsisht 28 persona nga ndërtesa kryesore dhe dy objekte përreth. Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, ndërsa dëmi material u llogarit fillimisht në rreth 50 mijë euro. Pas një pune intensive hetimore, dyshimet e forcave të rendit u drejtuan fillimisht te 58-vjeçari kosovar. Hulumtimet e mëvonshme të policisë mundësuan identifikimin dhe përfshirjen e të dyshuarit të dytë, një 37-vjeçari gjithashtu nga Kosova. Organet e rendit dyshojnë se 58-vjeçari mund të ketë kontraktuar 37-vjeçarin për t'i vënë flakën një banese në Jägerholzweg, në Weil im Schönbuch-Breitenstein, ngjarje kjo e shënuar më 29 mars 2026. Gjatë shpërthimit të zjarrit, brenda shtëpisë ndodhej një grua 86-vjeçare. Ajo u zgjua rreth orës 21:00 nga alarmi i detektorit të tymit dhe arriti të largohej në kohë së bashku me qenin e saj, duke shpëtuar pa asnjë lëndim. Njësitë e zjarrfikësve u angazhuan për rreth tri orë derisa arritën të vinin situatën nën kontroll. Si pasojë e dëmeve të rënda, shtëpia u bë e pabanueshme, kurse vlera e dëmit material u përllogarit në rreth 200 mijë euro. Për shkak të rrethanave rënduese dhe pranisë së një personi brenda në banesë gjatë aktit të zjarrvënies, autoritetet gjermane po e trajtojnë këtë rast zyrtarisht edhe nën akuzën e tentativës për vrasje. Pas hetimeve të përbashkëta të policive kriminale të Ludwigsburgut dhe Kielit, të dyshuarit u arrestuan gjatë fillimit të muajit shtator. Më 3 dhe 4 shtator, ata dolën para gjyqtarit hetues në Gjykatën e Qarkut të Stuttgartit, me kërkesë të prokurorisë kompetente. Gjykata ka lëshuar urdhër-arreste zyrtare për të dy të pandehurit, duke caktuar masën e paraburgimit mbi bazën e dyshimeve për zjarrvënie të rëndë dhe tentativë vrasjeje në rastin e dytë. Procesi hetimor vijon ende, ndërsa autoritetet po punojnë intesivisht për të zbardhur rolin e saktë të secilit prej tyre dhe për të zbuluar motivin e vërtetë pas këtyre dy akteve kriminale. Në përputhje me parimet ligjore, të dy shtetasit gëzojnë statusin e personave të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet zyrtarisht me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar