Sport
Në qendër të vëmendjes: Gjyqtari rumun i ndeshjes Izrael-Kosovë vjen pas pezullimit dhe vendimit të bujshëm për listën e FIFA-s
Reklamë e Sponsorizuar
UEFA i ka besuar drejtimin e sfidës mes Izraelit dhe Kosovës arbitrit rumun Radu Petrescu, duel ky që do të luhet të enjten, duke filluar nga ora 20:45, në “Nagyerdei Stadium” të qytetit hungarez të Debrecenit.
Arbitri 43-vjeçar nuk është një figurë e panjohur në arenën ndërkombëtare të futbollit, duke qenë se mb mban stemën e FIFA-s që prej vitit 2012 dhe gjatë karrierës së tij ka gjykuar ndeshje të rëndësishme, përfshirë edhe fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Megjithatë, ky delegim në Ligën e Kombeve mbërrin në një moment mjaft delikat për karrierën e tij.
Pak kohë më parë, konkretisht në shtator, Komisioni Qendror i Gjyqtarëve në Rumani mori vendimin që emri i Petrescu të mos përfshihet në listën e gjyqtarëve ndërkombëtarë të FIFA-s për vitin 2027, duke propozuar në vend të tij Catalin Roman. Kjo listë e re pritet të marrë miratimin zyrtar nga shtëpia madhore e futbollit botëror gjatë muajit dhjetor dhe do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.
Këto zhvillime vijnë pas një periudhe turbulencash për arbitrin në kampionatin vendor rumun. Gjatë muajit korrik, ai dështoi të kalonte testet fizike para nisjes së edicionit të ri në Superligë, një fat të ngjashëm pati edhe Andrei Chivulete.
Por episodi më i diskutueshëm që la shenjë në karrierën e tij mbetet ndeshja e sezonit të kaluar mes Petrolul dhe FC Arges.
Në atë përballje, teksa shifrat ishin të barabarta 1-1, Petrescu ndali një aksion premtues të skuadrës nga Pitesti para se ata të dërgonin topin në rrjetë, duke sinjalizuar një faull në sulm. Pamjet televizive dëshmuan se nuk bëhej fjalë për ndonjë shkelje të rregullave dhe, për shkak se vërshëllima e tij kishte rënë para se topi të kalonte vijën fatale, sistemi VAR ishte i pafuqishëm për të ndërhyrë. Në fund, duelit iu dha tjetër rrjedhë pasi Petrolul triumfoi me rezultatin 2-1.
Për shkak të këtij gabimi, Komisioni Qendror i Gjyqtarëve e dënoi me 12 ndeshje pezullim, edhe pse në fund ai u rikthye në fusha pas 10 takimesh.
Pavarësisht këtyre ngjarjeve në futbollin vendas, shtëpia e evropiane e futbollit vazhdon t'i besojë atij ndeshje ndërkombëtare. Vetëm në muajin gusht, ai drejtoi përballjen Motherwell – Freiburg në kuadër të “play-off”-it të Ligës së Konferencës.
Në krah të Radu Petrescu në këtë sfidë do të jenë bashkëkombësit e tij Radu Ghinguleac dhe Cosmin Bojan si asistentë, Florin Andrei në rolin e gjyqtarit të katërt, ndërsa në dhomën e VAR-it do të operojnë Catalin Popa dhe Ovidiu Hategan.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: