Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Alarm në rrugën “Nurije Zeka”: Mbeturinat inerte pushtojnë lagjen dhe sjellin rrezikun e brejtësve

Redaksia Lajmetereja • 27-11-2026 15:42
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Alarm në rrugën “Nurije Zeka”: Mbeturinat inerte pushtojnë lagjen dhe sjellin rrezikun e brejtësve
Banorët e rrugës “Nurije Zeka” në Prishtinë po përballen prej më shumë se një muaji me një situatë alarmante për shkak të grumbullimit të mbeturinave inerte. Papastërtitë e shumta në këtë hapësirë publike kanë shkaktuar shqetësim të madh te banorët e zonës, të cilët kërkojnë reagim urgjent nga institucionet kompetente për pastrimin e terrenit. Përveç dëmtimit të pamjes vizuale të lagjes, situata e rënduar mjedisore ka sjellë edhe shfaqjen e insekteve dhe minjve. Sipas banorëve, kjo gjendje përbën një rrezik serioz si për kushtet elementare të higjienës, ashtu edhe për shëndetin e qytetarëve që kalojnë çdo ditë në këtë pjesë të kryeqytetit. Violeta Hasani, kryetare e Komunitetit Lokal për Siguri Publike në Qendër, ka bërë të ditur se ka njoftuar me anë të një e-maili Komunën e Prishtinës për këtë problematikë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ajo ka theksuar se kjo nuk është hera e parë që kjo hapësirë shndërrohet në vendgrumbullim mbeturinash, pasi fenomeni po përsëritet pavarësisht ndërhyrjeve të kaluara. Duke kritikuar mungesën e bashkëpunimit institucional, Hasani ka deklaruar: “Kjo gjendje i ka ndoshta një muaj, madje edhe më shumë. Kam dërguar email në Komunë, por fatkeqësisht Komuna nuk i përgjigjet komunitetit të qendrës dhe nuk bashkëpunon me të. Drejtoria e Shërbimeve Publike e ka vendosur këtë tabelë, ku thuhet se nuk guxojnë të hidhen mbeturina këtu. Ka qenë më herët edhe drejtori Leutrim Retkoceri, kanë ardhur dhe e kanë pastruar këtë pjesë. Pas pastrimit, përgjegjëse është edhe Drejtoria e Inspeksionit Komunal. Ajo është fajtore që nuk po i gjobit qytetarët për ndotjen e ambientit. Edhe Ministria e Mjedisit, të dyja mund të bashkëpunojnë dhe t'i zgjidhin këto probleme që na kanë ngulfatur… Janë paraqitur insekte të ndryshme. Vetë i kam parë edhe minjtë, të cilët janë shumë të mëdhenj… Prej Komunës kam pritur shumë më shumë.” Në lidhje me këtë shqetësim, drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, në një prononcim me shkrim, ka bërë me dije se do të kontaktojë kompaninë rajonale të mbeturinave KRM “Pastrimi” për të kërkuar heqjen e mbeturinave të grumbulluara. "Kompanisë do t'i kërkohet që rasti të trajtohet me prioritet, duke marrë parasysh edhe shqetësimet e ngritura nga qytetarët për praninë e brejtësve në këtë zonë. Drejtoria ka bërë të ditur se do të kërkojë ndërmarrjen e masave të nevojshme në përputhje me obligimet që burojnë nga aktet nënligjore në fuqi", ka theksuar drejtori Retkoceri. Ndërkohë, banorët e zonës mbeten në pritje të një zgjidhjeje të prekshme, e cila përveç pastrimit të hapësirës, do të përfshijë edhe masa parandaluese për të ndalur shfaqjen e sërishme të mbeturinave në këtë pjesë të qytetit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar