Sport
Nga “Beckham i BVB-së” te mungesa e pasimeve vendimtare: Çfarë po ndodh me Julian Ryerson te Dortmundi?
Reklamë e Sponsorizuar
Pasi zhvilloi një gjysmësezon mbresëlënës gjatë edicionit të kaluar, Julian Ryerson po vëren se krosimet e tij te Borussia Dortmundi nuk po prodhojnë ende efektin e pritur në fushat e Bundesligës. Megjithatë, trajneri Niko Kovac mbetet i bindur se kjo është vetëm një fazë kalimtare dhe se kontributi i mbrojtësit norvegjez do të rikthehet shumë shpejt.
Jashtë fushës së blertë, 29-vjeçari vazhdon të tërhiqë vëmendjen e medieve me stilin e tij unik. Nëpër rrugët e Dortmundit ai shoqërohet shpesh me një veturë klasike kabriolet, ka eksperimentuar me frizura të ndryshme, ndërsa një herë u shfaq duke vizituar mbretin e Norvegjisë i veshur me shapka. Së fundmi, mbrojtësi i djathtë mori pjesë edhe në tubimin e anëtarëve të klubit në Westfalenhalle, duke u dalluar me syze me xhama të verdhë.
Megjithatë, në edicionin e kaluar ishin paraqitjet e tij në fushë ato që bënë bujë të madhe. Ryerson u shndërrua në një prej mbrojtësve anësorë më të rrezikshëm në kampionatin gjerman, duke dalluar për saktësinë në goditjet e lira dhe këndore. Topat e tij diagonalë, të kombinuar me ata të Nico Schlotterbeckut, përbënin njërën nga armët kryesore të Verdhezinjve për të çeduar prapavijat kundërshtare.
Falë këtyre paraqitjeve, ai u pagëzua nga mediet me nofkën “Beckham i BVB-së”, një krahasim që gjen mbështetje te 15 asistimet e regjistruara, shifra më e lartë e arritur nga një lojëtar i Dortmundit në një sezon të Bundesligës që nga koha e Jadon Sanchos në edicionin 2019/20.
Ndonëse statistikat personale të këtij sezoni janë pothuajse identike, ose në disa raste edhe më të larta se në pjesën e dytë të edicionit të kaluar, Ryerson është ende në kërkim të asistimit të tij të parë në kampionat. Ai numëron mesatarisht 2.2 pasime që çojnë në raste për gol për 90 minuta, shifër e ngjashme me edicionin 2025/26, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit të kaluar mesatarja ishte 2.6.
Për më tepër, numri i krosimeve për 90 minuta është ngjitur nga 8.1 në 8.5, kurse saktësia e tyre është përmirësuar nga 25.9 në 27.6 për qind. Aktualisht, asnjë futbollist tjetër në Bundesliga nuk ka ekzekutuar më shumë krosime se mbrojtësi norvegjez, por këto shifra ende nuk janë përkthyer në gola apo asistime në kampionat dhe në Ligën e Kampionëve.
Ndryshe nga paraqitjet në arenën vendase, në Kupën e Gjermanisë ai ka kontribuar me katër asistime, ku tri prej tyre i ka dhënë në raundin e parë kundër skuadrës së nivelit të pestë, HEBC Hamburgut. Ndërkohë, edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Daniel Svensson, nuk ka regjistruar ende ndonjë asistim në ndeshjet e kampionatit.
Kontrasti mbetet i ndjeshëm, pasi Ryerson nuk po arrin të lërë gjurmë as përmes goditjeve standarde. Vetëm Adil Aouchiche i Schalke 04, me 21 raste të krijuara për goditje pa gjetur asistimin, ka një statistikë më të lartë se norvegjezi, i cili numëron 15 raste të tilla.
Treneri Niko Kovac është i vetëdijshëm për këtë ngërç, por thekson se problemi nuk lidhet me aftësitë e individëve, sesa me mënyrën se si skuadra finalizon aksionet sulmuese dhe shfrytëzon mundësitë e krijuara.
“Na duhen situata më të pastra për të shënuar. Për momentin nuk po i shoh ato aq shpesh sa do të dëshironim. Kemi krijuar disa raste, por na duhet më shumë vazhdimësi në këtë drejtim”, ka përfunduar trajneri i Dortmundit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: