Kronikë
Tragjedi në Itali: 23-vjeçarja me origjinë shqiptare vritet nga partneri i cili më pas bën vetëvrasje
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje e rëndë ka tronditur rajonin e Toskanës në Itali, ku një 23-vjeçare ka gjetur vdekjen pasi është sulmuar nga partneri i saj 25-vjeçar në Ponte a Buggiano, në provincën e Pistoias. Viktima është identifikuar si Ionela Girneata, për të cilën dyshohet se është me origjinë shqiptare, ndërsa i dyshuari për këtë krim, Andrea Nardini, i dha fund jetës menjëherë pas ngjarjes.
Sipas hetimeve të deritanishme, krimi i rëndë ndodhi të enjten në mëngjes brenda banesës ku jetonte çifti. Fqinjët kanë dëshmuar se e kishin parë 25-vjeçarin duke dalë nga shtëpia rreth orës 08:00 dhe duke u larguar me automjetin e tij, ndërkohë që brenda ndodhej trupi i pajetë i 23-vjeçares. Hetimet paraprake tregojnë se e reja mund të jetë goditur disa herë në kokë me një peshë dore (girë) që përdorej për palestër.
Rreth orës 08:30, vetë autori ka telefonuar numrin e urgjencës 112 për të njoftuar mbi vdekjen e partneres së tij. Në thirrjen e tij, ai kishte deklaruar se e dashura kishte ndërruar jetë, kishte dhënë adresën në rrugën Roma 45 në Ponte a Buggiano, duke e quajtur aksident dhe duke shtuar se nuk dëshironte që ngjarjen ta kuptonin gjyshërit e tij, ndërsa paralajmëroi edhe vetëvrasjen.
Pas kësaj telefonate, shërbimet e emergjencës, policia dhe zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje, ku konfirmuan vdekjen e 23-vjeçares në katin e sipërm të shtëpisë dykatëshe. Ndërkohë, autoritetet arritën të lokalizojnë sinjalin e telefonit të Nardinit në autostradën A1. Ai kishte shkuar në zonën e Barberino del Mugello, ku i kishte vënë zjarrin veturës së tij të tipit “Alfa Romeo Giulietta” ngjyrë blu, para se t'i jepte fund jetës.
Çifti bashkëjetonte prej afërsisht gjashtë vitesh, që nga koha e pandemisë COVID-19, pasi ishin njohur qysh në bankat e shkollës. Ionela ishte transferuar në shtëpinë e partnerit sapo kishte mbushur moshën madhore, duke jetuar në katin e sipërm të banesës së gjyshërve të 25-vjeçarit. Më parë ajo kishte banuar në Lammari pranë Luccas, kishte përfunduar studimet për kontabilitet dhe kishte punuar në një agjenci imobiliare, ndërsa së fundmi ishte e punësuar në një fabrikë letre në Porcari.
Gjatë ekspertimit të vendit të ngjarjes, policia shkencore ka konstatuar shenja të një përleshjeje fizike, çka lë të kuptohet se e reja ishte përpjekur të mbrohej nga sulmi. Meqenëse në banesë nuk u gjet ndonjë letër apo mesazh shpjegues, hetuesit pritet të analizojnë telefonat celularë të çiftit për të zbardhur motivet dhe dinamikën e ngjarjes.
Ky rast ka sjellë gjithashtu një përkim rrqethës, pasi vetëvrasja e Nardinit ndodhi në të njëjtën zonë, në Barberino del Mugello, ku më 3 shtator ishte vrarë një tjetër grua, Lorena Isceri. Në atë ngjarje tragjike, ish-partneri e kishte rrëmbyer viktimën duke e lidhur në bagazh dhe më pas e kishte hedhur nga një viadukt para se të kryente vetëvrasje. Ngjarja e fundit ka ringjallur reagimet dhe dhimbjen në opinionin publik italian për dhunën ndaj grave.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: