Politikë
Reagon Mefail Bajqinovci: Kosova është shtet sovran dhe nuk mund të anashkalohet nga strukturat institucionale
Reklamë e Sponsorizuar
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Mefail Bajqinovci, ka reaguar ashpër ndaj një njoftimi të fundit të misionit të KFOR-it lidhur me një takim të zhvilluar në kryeqytet me përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë.
Paraprakisht, KFOR-i kishte bërë me dije se ky takim u mbajt në ambientet e kampit Film City, duke vënë në pah se bashkëpunimi ndërmjet palëve mbështetet te profesionalizmi dhe respekti reciprok.
Duke komentuar këtë zhvillim, deputeti Bajqinovci ka vlerësuar se mekanizmat teknikë të vendosur qysh në vitin 1999 nuk mund të shërbejnë si parametra për të përcaktuar realitetin e sotëm politik të vendit.
“Realiteti i Kosovës ka ndryshuar. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me institucione legjitime dhe përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të saj”, ka shkruar Bajqinovci përmes një postimi në rrjetet sociale.
Megjithëse ka pranuar se një komunikim i tillë ushtarak mes KFOR-it dhe palës serbe mund të ketë vlerë për shmangien e incidenteve në terren, ai ka ngritur shqetësime serioze për tonin dhe mënyrën se a u trajtua ngjarja.
“Megjithatë, publikimi i një takimi të tillë me gjuhën e ‘respektit të ndërsjellë’, pa ndjeshmëri ndaj realitetit dhe historisë sonë të afërt, është politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm”, ka shtuar më tej ai.
Në reagimin e tij, kryetari i Komisionit për Siguri ka evokuar plagët e hapura të luftës, duke përmendur çështjen e pazgjidhur të personave të zhdukur me dhunë dhe krimet e kryera nga aparati shtetëror serb, përfshirë zbulimin e varrezave masive.
“Për familjet e viktimave dhe për qytetarët tanë, këto nuk janë çështje të së kaluarës së largët; ato kërkojnë drejtësi, përgjegjësi dhe respekt”, ka përforcuar qëndrimin e tij deputeti.
Në mbyllje të reagimit, Bajqinovci i ka bërë thirrje misionit paqeruajtës të KFOR-it që në veprimtarinë e tij të ruajë paanshmërinë dhe transparencën, duke u kujdesur që të mbajë një linjë të rregullt bashkëpunimi dhe komunikimi me institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: