Sport
Formë e shkëlqyer në Evropë, Milot Avdyli tregon sekretin e shndërrimit të tij në “mbrojtësin universal” te Celje
Reklamë e Sponsorizuar
Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Milot Avdyli, ka qenë protagonist absolut në ndeshjen që skuadra e tij, Celje, e zhvilloi të enjten në mbrëmje kundër gjigantëve hungarezë të Ferencvarosit, në kuadër të Ligës së Evropës. 24-vjeçari nga Vushtrria u aktivizua gjatë gjithë takimit në krahun e majtë të prapavijës, duke kontribuar në arritjen e një barazimi të vlefshëm 0-0 në udhëtim, rezultat ky që i siguroi kampionëve të Sllovenisë një tjetër pikë të rëndësishme në këtë garë kontinentale.
Pas përfundimit të sfidës, anëtari i Përfaqësueses së Kosovës ka ndarë me mediat përshtypjet e tij, duke vlerësuar paraqitjen e përgjithshme të skuadrës. “Nëse nuk fiton, është shumë e rëndësishme të mos humbasësh. Ne e arritëm këtë, luajtëm një ndeshje të mirë. Duam të tregojmë më shumë në sulm, por përndryshe jam shumë krenar për ekipin. Faleminderit shokëve të mi të ekipit dhe tifozëve tanë. Po ecim përpara dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur”, u shpreh ai fillimisht.
Falë përshtatshmërisë së lartë në fushë, Avdyli është shndërruar në një “universal” të vërtetë për klubin slloven. Gjatë karrierës së tij te Celje, ai ka mbuluar role të ndryshme, një dinamikë kjo që i përshtatet plotësisht kërkesave të tij si lojtar.
“Kur erdha te Celje, luaja në pozicionin e numrit dhjetë. Më vonë isha sulmues krahu, ndërsa tani luaj në pozicionin e mbrojtësit. E vetmja gjë që ka rëndësi për mua është që unë të luaj! Përndryshe, më pëlqen të mësoj të luaj në pozicione të tjera dhe dua të vazhdoj të luaj mirë dhe të përparoj”, përfundoi lojtari vushtrrias.
Dueli i së enjtes shënoi paraqitjen e tij të 72-të zyrtare me fanellën e Celjes. Për momentin, vetëm me FC Aarau ka regjistruar më shumë ndeshje në karrierë, ndërsa para se të bashkohej me skuadrën sllovene, ai ka lozur gjithashtu edhe për ukrainasit e Vorskla Poltava.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: