Politikë
E ardhmja politike e Erdoganit: A do të synojë një tjetër mandat në krye të Turqisë më 2028?
Reklamë e Sponsorizuar
Blloku qeverisës në Turqi ka dakordësuar që Recep Tayyip Erdogan të jetë sërish kandidat për postin e presidentit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2028.
Gjatë një konference për mediat të mbajtur në kryeqytetin Ankara, zëvendëspresidenti turk, Cevdet Yilmaz, bëri të ditur se procesi zgjedhor mund të mbahet një ose dy muaj para afatit të rregullt, i cili është parashikuar për muajin maj të vitit 2028.
Yilmaz rikonfirmoi se forcat e koalicionit janë në një linjë sa i takon rikandidimit të Erdoganit, ndërkohë që u kërkoi qytetarëve që të shmangin çdo spekulim lidhur me orarin e zgjedhjeve.
Kushtetuta e vendit përcakton se shpallja e zgjedhjeve të parakohshme me vendim të Kuvendit do t'i hapte rrugë Erdoganit për të garuar edhe për një mandat tjetër në krye të shtetit.
Për t'i hapur rrugë një vendimi të tillë, nevojitet mbështetja e të paktën 360 ligjvënësve nga gjithsej 600 ulëse sa ka Parlamenti i Turqisë.
Aktualisht, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e udhëhequr nga Erdogan dhe partnerja e saj e koalicionit, Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), zotërojnë së bashku 326 deputetë në Kuvend.
Në krahun tjetër, ministri i Financave dhe Thesarit, Mehmet Simsek, ka hedhur poshtë idenë e një procesi zgjedhor para vitit 2028, duke shtuar se edhe planifikimet buxhetore janë mbështetur mbi këtë afat.
Recep Tayyip Erdogan udhëheq Turqinë prej vitit 2003, fillimisht në cilësinë e kryeministrit dhe prej vitit 2014 si president i vendit, ndërsa fitoi mandatet e reja në vitet 2018 dhe 2023, pas kalimit të shtetit në sistemin presidencial.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: