Politikë
Pacolli: Nis restaurimi i lumenjve në Kosovë
Reklamë e Sponsorizuar
Komunat e Klinës, Obiliqit, Kamenicës dhe Mamushës do të jenë të parat në Kosovë që do të zbatojnë modelin e ri për restaurimin e lumenjve dhe mbrojtjen e ekosistemeve, pas nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit në kuadër të Programit IWRM-K, i bashkëfinancuar nga Qeveria Zvicerane dhe Qeveria e Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli e cila njofton se përmes këtij bashkëpunimi synohet zbatimi i Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë, të cilat respektojnë ekosistemet dhe ulin ndjeshëm rrezikun nga përmbytjet.
Ndërhyrjet e parapara përfshijnë rikthimin e bimësisë përgjatë brigjeve të lumenjve, largimin e barrierave që pengojnë rrjedhën natyrore dhe krijimin e më shumë hapësirave të lira për lumenjtë.
Sipas njoftimit të ministres së Mjedisit, ky model i ri do të shërbejë si standard për të gjitha projektet e ardhshme ujore në Kosovë.
“Për ta shtrirë këtë transformim në nivel kombëtar, brenda gjashtë muajve, në bashkëpunim me IWRM-K, do të hartojmë edhe Udhëzuesin me standardet për Zgjidhjet e Bazuara në Natyrë, që do të zbatohet në projektet e lumenjve në të gjithë vendin”, ka shkruar ministrja Pacolli.
Ky hap vjen pas vendimit për ndalimin e betonimit të lumenjve, të marrë në muajin prill të këtij viti.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: