Kronikë
Vasfije Krasniqi me thirrje për viktimat: Mos heshtni, kërkoni drejtësi
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata Themelore në Prishtinë ka organizuar një aktivitet simbolik në kuadër të Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, duke ndriçuar objektin e saj me ngjyrë portokalli, në shenjë solidariteti me të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe viktimat e dhunës me bazë gjinore.
Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ndërsa përmes këtij gjesti u përcoll mesazhi për rëndësinë e drejtësisë, mbrojtjes së të drejtave dhe respektimit të dinjitetit të viktimave.
Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ngadhnjim Arrni, theksoi se drejtësia nuk matet vetëm përmes vendimeve gjyqësore, por edhe përmes mënyrës se si institucionet i trajtojnë personat që kërkojnë mbrojtje.
Ai veçoi rëndësinë e Dhomës së Sigurt, e cila funksionon në kuadër të Gjykatës në bashkëpunim me QKRMT-në, duke u mundësuar të mbijetuarve të dhunës seksuale të përgatiten dhe të japin dëshmitë në një ambient të sigurt, me privatësi dhe mbështetjen e nevojshme.
“Le të jetë ngjyra portokalli që do të ndriçojë sonte këtë objekt një kujtesë se lufta kundër dhunës kërkon angazhim të përditshëm dhe jo vetëm gjatë fushatave ndërgjegjësuese. Ajo kërkon institucione të përgjegjshme, bashkëpunim të qëndrueshëm dhe një shoqëri që nuk hesht përballë dhunës”,deklaroi Arrni.
Ndërkaq, zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Afërdita Bytyçi, theksoi angazhimin e vazhdueshëm të këtij institucioni dhe gjykatave për trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, si në fushën civile, ashtu edhe në atë penale.
Ajo nënvizoi rëndësinë e gjyqtarëve dhe koordinatorëve të specializuar, trajtimin me kohë të kërkesave për mbrojtje, si dhe zbatimin e monitorimin e Udhëzuesit të Gjykatës Supreme për mbrojtjen e viktimave.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi Goodman, e cila bëri thirrje që viktimat të mos ndihen të turpëruara për përjetimet e tyre dhe të mos hezitojnë të kërkojnë drejtësi përmes institucioneve përkatëse.
Ajo theksoi se raportimi dhe dëshmimi kanë rëndësi të veçantë, në mënyrë që përjetimet e viktimave të mos mbeten në heshtje dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Edhe drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti, vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave që mbështesin të mbijetuarit e dhunës. Ajo theksoi nevojën për krijimin e kushteve të sigurta dhe mbështetëse, në mënyrë që viktimat të kenë mundësi të raportojnë dhunën dhe të kërkojnë drejtësi pa frikë dhe pa paragjykime.
Përmes këtij aktiviteti, Gjykata Themelore në Prishtinë riafirmoi përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, garantimin e qasjes në drejtësi dhe trajtimin me dinjitet të personave që kërkojnë mbrojtje institucionale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: