Politikë
Kurti para Samitit në Bruksel: Kosova kërkon statusin e vendit kandidat për BE
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova pret që ta marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duke folur për gazetarë në prag të nisjes së Samitit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, Kurti theksoi se kjo është vonuar për një kohë të gjatë.
“Në dhjetor do të bëhen katër vjet qëkurse kemi aplikuar për pranim në BE... s’po kërkojmë shpërblime, privilegje ose favore, po kërkojmë të njihet progresi i Kosovës sa i përket avancimit demokratik, rritjes ekonomike, luftës ndaj korrupsionit, sundimit të ligjit, të drejtat politike dhe liritë qytetare”, tha Kurti.
Samiti në Bruksel po shihet si një mundësi tjetër që institucionet e bllokut evropian të riafirmojnë përkushtimin ndaj politikës së dyerve të hapura për vendet e rajonit, nëse ato përparojnë në reformat e nevojshme për t’u afruar me strukturat evropiane, raporton Kosovapress.
Kurti shtoi se pret që në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian në dhjetor t’i shtrohet pyetja Komisionit Evropian për opinion për kërkesën e Kosovës për pranim në bllok.
“Ndonëse statusi i vendit kandidat ka qenë gjithmonë shumë i rëndësishëm, tani është bërë çështje urgjente. E dimë se pothuajse çdo muaj mbahen zgjedhje në një shtet të ndryshëm të kontinentit tonë dhe çdo gjë ka rëndësi. Prandaj, duhet ta shfrytëzojmë këtë dritare të mundësive për zgjerimin e BE-së, për përfshirjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe, në veçanti, për dhënien e statusit të vendit kandidat Republikës së Kosovës, si çështje meritash, pasi që ne padyshim e meritojmë”,tha Kurti.
I vetmi vend që ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në samitin e sivjetmë është Serbia. Për këtë arsye, diplomatët e BE-së konsiderojnë se Serbia“me shumë gjasë” nuk do të pajtohet me deklaratën përfundimtare të samitit. Deklaratën e miratojnë liderët e vendeve të BE-së, ndërsa vendet e rajonit ftohen të pajtohen me të.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: