Politikë
Murati prezanton investimet në shëndetësi, Komisioni miraton dy marrëveshje kredie
Reklamë e Sponsorizuar
Komisioni për Buxhet, i kryesuar nga Enver Haliti, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ku ka shqyrtuar dhe miratuar disa projektligje dhe raporte financiare, përfshirë marrëveshje për investime në sektorin e shëndetësisë.
Në këtë mbledhje, ministri i Financave, Hekuran Murati, prezantoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për projektin “Përmirësimi i kujdesit shëndetësor sekondar dhe terciar”.
Ministri Murati bëri të ditur se përmes kësaj marrëveshjeje parashihen investime prej 41 milionë eurosh në shëndetësi, të cilat do të përfshijnë shtatë spitalet rajonale dhe klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Pas prezantimit dhe diskutimeve, projektligji u miratua me shtatë vota për, asnjë kundër dhe një abstenim.
Tutje, Komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane të Investimeve për projektin e përmirësimit të pajisjeve mjekësore dhe infrastrukturës.
Gjatë prezantimit, Murati tha se investimet përmes kësaj marrëveshjeje synojnë modernizimin e spitaleve publike, përmes blerjes së pajisjeve spitalore dhe diagnostikuese, sistemeve të ultrazërit, pajisjeve për sallat e operacionit, si dhe realizimit të renovimeve të nevojshme.
Ky projektligj u mbështet nga gjashtë deputetë, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Në vijim të mbledhjes, Komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi themelimin e sistemit për sigurimin e depozitave për institucionet financiare në Kosovë, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-133. Edhe këtë projektligj e prezantoi ministri i Financave, Hekuran Murati, ndërsa ai u miratua me shumicën e votave të deputetëve.
Po ashtu, ministri Murati prezantoi raportin vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025. Pas diskutimeve nga anëtarët e Komisionit, raporti u miratua me shumicën e votave dhe do t'i përcillet seancës plenare për votim.
Ndërkaq, shqyrtimi i raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për nëntëmujorin e këtij viti, i paraparë në rendin e ditës, u shty për një mbledhje tjetër me dakordimin e anëtarëve të Komisionit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: