Sport
Deklarata e Kamberit për bashkëpunim me pushtetin e ri, Sadriu kërkon rezultate për shqiptarët e Luginës
Reklamë e Sponsorizuar
Analisti shqiptar nga Presheva, Kujtim Sadriu, shpreh skepticizëm ndaj premtimeve të Listës Studentore për përmirësimin e pozitës së pakicave kombëtare në Serbi. Ai kërkon llogaridhënie nga deputetët shqiptarë dhe thekson se çështjet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet të shndërrohen në prioritete konkrete parlamentare.
Fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe deklaratat e saj për përmirësimin e pozitës së pakicave kombëtare kanë ngritur pritshmëri, por edhe dilema për të ardhmen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në këtë situatë, vëmendje të veçantë ka marrë edhe qëndrimi i deputetit Shaip Kamberi, i cili ka folur për mundësinë e bashkëpunimit me autoritetet e reja serbe dhe për planin shtatëpikësh për adresimin e kërkesave të shqiptarëve.
Megjithatë, mbetet të shihet nëse deklaratat politike do të përkthehen në veprime konkrete dhe nëse përfaqësuesit shqiptarë do të arrijnë të krijojnë një strategji të përbashkët përballë shumicës së re parlamentare.
Në një prononcim për “Bota sot”, analisti Kujtim Sadriu vlerëson se është ende herët për të dhënë një gjykim përfundimtar për qasjen e deputetëve shqiptarë, por shpreh shqetësim për mungesën e një strategjie të qartë politike. Ai kërkon që dialogu me institucionet serbe të kushtëzohet me rezultate konkrete, ndërsa deputetët shqiptarë të japin llogari para qytetarëve për angazhimin dhe punën e tyre.
Duke komentuar gatishmërinë e deputetëve shqiptarë për dialog me autoritetet e reja në Serbi, Sadriu thotë se paraqitjet e para parlamentare dëshmojnë mungesën e një strategjie të përbashkët politike.
Ai ndalet veçanërisht te qëndrimi i Shaip Kamberit gjatë votimit për kryetarin e Kuvendit të Serbisë, duke vlerësuar se një pozicionim i tillë duhet të shoqërohet me sqarime të qarta para opinionit publik shqiptar.
Sipas tij, edhe plani shtatëpikësh i përmendur nga Kamberi duhet të shoqërohet me një alternativë konkrete në rast se kërkesat e shqiptarëve nuk marrin përgjigje nga qeveria e re.
“Duke pasur parasysh se legjislatura e re sapo ka filluar punën, është ende herët për të dhënë një vlerësim përfundimtar mbi gatishmërinë e deputetëve shqiptarë për dialog dhe bashkëpunim me institucionet e reja të Serbisë. Megjithatë, që në paraqitjet e para parlamentare vërehet mungesa e një qasjeje të artikuluar qartë dhe e një strategjie të përbashkët politike, e cila do të përcaktonte drejtimet e veprimit të tyre”, shprehet Sadriu.
Ai shton se dialogu nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por duhet të kushtëzohet me përmbushjen e kërkesave të shqiptarëve.
“Çështja nuk është vetëm gatishmëria për dialog, por edhe përcaktimi i kushteve, kufijve dhe objektivave të këtij dialogu. Bashkëpunimi institucional ka kuptim vetëm nëse prodhon rezultate konkrete për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Deputeti Shaip Kamberi për katër mandate është në Kuvend. Edhe sa duhet të presim për një rezultat? Kur e analizojmë këtë, kuptojmë rezultatin e tij”, deklaron ai.
Lista Studentore dhe premtimet për pakicat, Sadriu shpreh skepticizëm
Sa i përket premtimeve të Listës Studentore për përmirësimin e të drejtave të pakicave kombëtare, Sadriu thotë se ato duhet të vlerësohen përmes veprimeve institucionale dhe jo vetëm deklaratave politike.
Ai shpreh skepticizëm për qasjen e kësaj liste ndaj shqiptarëve, duke përmendur përdorimin e terminologjisë fyese dhe diskriminuese nga disa prej mbështetësve të saj. Sipas tij, kjo krijon mospërputhje ndërmjet zotimeve publike për respektimin e pakicave dhe gjuhës së përdorur ndaj tyre.
“Premtimi i Listës Studentore për përmirësimin e pozitës dhe të drejtave të pakicave kombëtare përbën një deklarim politik që duhet vlerësuar në raport me veprimet konkrete institucionale, e jo vetëm në bazë të retorikës politike”, thotë Sadriu.
Ai thekson se shqiptarët kanë arsye për të qenë të kujdesshëm, por se duhet pritur për të parë nëse premtimet do të shndërrohen në politika konkrete.
“Sa i përket shqiptarëve, ekzistojnë arsye për një skepticizëm të arsyeshëm. Kjo për faktin se një pjesë e mbështetësve të kësaj liste, në komunikimin e tyre publik, kanë përdorur edhe terminologji fyese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve, përfshirë termin ‘šiptar’. Një diskrepancë e tillë ndërmjet premtimeve për respektimin e të drejtave të pakicave dhe gjuhës së përdorur nga disa prej mbështetësve të saj ngre pikëpyetje legjitime mbi përmbajtjen dhe seriozitetin e këtij angazhimi”, shprehet ai.
Sipas Sadriut, një tregues i rëndësishëm do të jetë edhe respektimi i standardeve evropiane për të drejtat e pakicave.
“Prandaj, qëndrimi im mbetet skeptik, por jo apriori përjashtues. Besueshmëria e kësaj liste do të përcaktohet nga mënyra se si do të sillet ndaj shqiptarëve në praktikë”, thekson analisti.
Pasivizimi i adresave dhe përfaqësimi institucional, kërkesat kryesore të shqiptarëve
Duke folur për problemet më urgjente me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, Sadriu rendit pasivizimin e adresave, njohjen e diplomave, përfaqësimin proporcional në institucionet shtetërore dhe të drejtat në arsim.
Ai kërkon gjithashtu rikthimin e Gjykatës në Preshevë, duke e lidhur humbjen e saj me bojkotin e zgjedhjeve të mëhershme nga PVD-ja dhe PDSh-ja. Në të njëjtën kohë, ai ngre shqetësimin për qeverisjen lokale dhe kërkon hetimin e dyshimeve për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Kërkesa e parë dhe e panegociueshme duhet të jetë ndërprerja e praktikës së pasivizimit të adresave dhe kthimi i të drejtës së vendbanimit për qytetarët shqiptarë të cilëve u janë pasivizuar adresat në mënyrë të padrejtë. Kjo çështje nuk është thjesht administrative, por prek drejtpërdrejt të drejtat themelore të qytetarëve, përfshirë të drejtën e banimit, dokumentacionit, pronës dhe pjesëmarrjes në jetën institucionale”, deklaron Sadriu.
Ai përmend edhe nevojën për rikthimin e Gjykatës në Preshevë, si dhe përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
“Një tjetër prioritet është njohja e diplomave të fituara në institucionet arsimore dhe universitare, në përputhje me standardet ligjore dhe procedurat përkatëse. Pengesat në këtë drejtim cenojnë perspektivën profesionale të të rinjve shqiptarë dhe kufizojnë mundësitë e tyre për punësim dhe avancim.
Po aq i rëndësishëm është përfaqësimi proporcional dhe efektiv i shqiptarëve në institucionet shtetërore. Kjo nënkupton punësimin dhe përfaqësimin e tyre në polici, dogana, ushtri, administratë publike dhe shërbimin korrektues, përfshirë institucionet përkatëse në Vranjë”, shprehet ai.
Sadriu thekson se kërkesat e shqiptarëve nuk duhet të trajtohen si privilegje etnike, por si të drejta që burojnë nga parimi i barazisë para ligjit.
Dy deputetë në Kuvendin e Serbisë, Sadriu kërkon angazhim më të madh parlamentar
Duke komentuar përfaqësimin e shqiptarëve me dy deputetë në Kuvendin e Serbisë, Sadriu vlerëson se numri i tyre nuk u mundëson të imponojnë ndryshime në vendimmarrjen parlamentare. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk duhet të shërbejë si arsye që angazhimi i tyre të mbetet simbolik.
Ai konsideron se deputetët duhet ta shfrytëzojnë foltoren parlamentare për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet serbe, për të paraqitur argumente dhe për të ngritur vazhdimisht problemet e shqiptarëve.
“Duhet të jemi realistë në vlerësimin e fuqisë parlamentare që përfaqësojnë dy deputetët shqiptarë në raport me një shumicë të konsoliduar parlamentare. Është e qartë se dy deputetë nuk kanë kapacitet numerik për të imponuar ndryshime politike apo vendimmarrëse në Kuvendin e Serbisë. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se roli i tyre duhet të jetë i kufizuar apo thjesht simbolik”, thekson Sadriu.
Ai kërkon që angazhimi parlamentar të mos kufizohet në deklarata të përgatitura, por të përfshijë përballje të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e qeverisë.
“Deputetët shqiptarë duhet ta shndërrojnë foltoren parlamentare në një hapësirë të vazhdueshme të artikulimit të problemeve të shqiptarëve. Kur flasim për debat parlamentar, nuk nënkuptojmë vetëm leximin e deklaratave të përgatitura dhe largimin nga salla, por përballje serioze me argumente, replika, kundërshtime dhe kërkesa konkrete ndaj përfaqësuesve të qeverisë”, shprehet ai.
Sa i përket deputetit Shaip Kamberi, Sadriu vlerëson se përvoja e tij parlamentare është e rëndësishme, por kërkon një qasje më të orientuar drejt rezultateve. Ndërkaq, për deputetin Visar Memeti thotë se është ende herët për të vlerësuar performancën e tij në legjislaturën e re.
“Sa i përket deputetit Shaip Kamberi, angazhimi dhe paraqitjet e tij të deritanishme parlamentare janë pjesë e një përvoje që nuk mund të shpërfillet. Megjithatë, kjo nuk e përjashton nevojën për një qasje më të qartë, më sistematike dhe më të orientuar drejt rezultateve konkrete”, deklaron Sadriu.
Për Memetin, ai shton se qytetarët kanë të drejtë të presin një angazhim të dukshëm dhe të matshëm.
“Ndërkaq, sa i përket deputetit Visar Memeti, mbetet të shihet se si do ta ndërtojë profilin e tij parlamentar dhe çfarë kontributi do të japë në artikulimin e interesave të shqiptarëve. Në këtë fazë, do të ishte e parakohshme të nxirrej një përfundim përfundimtar mbi performancën e tij”, thotë ai.
Në përfundim, Sadriu thekson se deputetëve shqiptarë duhet t’u jepet mundësia të dëshmojnë kapacitetet e tyre, por kjo nuk duhet të nënkuptojë mungesë të llogaridhënies ndaj qytetarëve.
“Duhet t’u japim kohë deputetëve që të dëshmojnë kapacitetet e tyre në këtë legjislaturë, por kjo kohë nuk duhet të shndërrohet në një periudhë pa llogaridhënie. Ata duhet të kenë një agjendë të qartë, prioritete të përcaktuara dhe mekanizma për matjen e rezultateve. Shqiptarët nuk kanë nevojë vetëm për përfaqësim formal në Kuvendin e Serbisë, por për përfaqësim aktiv, argumentues dhe këmbëngulës, i cili i shndërron kërkesat politike në presion institucional dhe rezultate konkrete”, përfundon Sadriu për "Bota sot".
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: