Politikë
Debat i ashpër për videoklipin e Don Xhonit te “Makedoniumi”, reagon Ministria e Kulturës
Reklamë e Sponsorizuar
Zgjedhja e monumentit historik “Makedonium” në Krushevë për xhirimin e videoklipit më të ri të reperit të njohur nga Kosova, Don Xhoni, ka shkaktuar një valë polemikash dhe debatesh të nxehta në rrjetet sociale.
Pjesë e madhe e komentuesve maqedonas e kanë cilësuar si të papranueshme dhe fyerëse dhënien me qira të një hapësire me rëndësi kaq të lartë historike për realizimin e videove muzikore, duke shoqëruar reagimet e tyre edhe me gjuhë kritike ndaj artistit dhe ekipit realizues.
Lidhur me këtë situatë, e cila ka marrë vëmendje të gjerë publike, ka reaguar zyrtarisht edhe Ministria e Kulturës.
Ministri Sedat Sulejmani ka theksuar se drejtuesit e institucioneve duhet të tregojnë kujdes të shtuar kur vendosin të japin objekte të trashëgimisë në shfrytëzim, duke kërkuar transparencë dhe verifikim të natyrës së programeve dhe përmbajtjeve që do të prodhohen.
“Unë, si ministër i Kulturës dhe Turizmit, gjegjësisht ne si Ministri jemi përgjegjës për mbrojtjen e të gjithë artistëve dhe të gjithë punonjësve të kulturës. Kemi një rast para nesh që është vërtet i ndjeshëm, por do të shohim me shërbimet ligjore se si mund të veprojmë më tej ose me ndonjë ndryshim ligjor, sepse në këtë moment ekziston e drejta ligjore për qira, por drejtorët duhet të jenë të kujdesshëm kur japin objekte me qira, duhet të dinë se çfarë programesh do të mbahen dhe me çfarë përmbajtjeje. Problemi është i ri, është xhiruar më parë, ndërsa unë ende nuk kam informacion të detajuar dhe jemi në proces të zgjidhjes së problemit. Do të sigurojë informacione shtesë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë më pas”, u shpreh ministri Sulejmani gjatë një prononcimi për gazetarët.
Monumenti “Makedonium”, i cili gëzon statusin e trashëgimisë kulturore të mbrojtur nga shteti, dyshohet se është vënë në dispozicion të produksionit të reperit kosovar kundrejt një pagese prej 500 eurosh, ku janë xhiruar sekuenca për videoklipin e këngës së tij më të re, “Seksi Mama”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: