Kronikë
Dauti njofton për aksionin kundër kontrabandës: Sekuestrohen një milion cigare
Reklamë e Sponsorizuar
Një sasi prej një milion copësh cigare pa pulla akcize është sekuestruar në pikën kufitare të Bogorodicës, në Maqedoninë e Veriut, gjatë një aksioni kundër kontrabandës.
Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti, i cili njoftoi se cigaret e sekuestruara kanë vlerë prej nëntë milionë denarësh.
Sipas njoftimit, cigaret janë zbuluar në një kamion transporti, i cili gjatë hyrjes në vend ishte deklaruar për transit me ngarkesë të granulateve të propilenit.
Pas dyshimeve të ngritura nga zyrtarët doganorë, kamioni i është nënshtruar një kontrolli të detajuar, gjatë të cilit janë zbuluar 100 kuti kartoni me gjithsej 5.000 steka cigare të padeklaruara.
Me këtë rast është parandaluar shmangia e detyrimeve të importit në vlerë prej 13.7 milionë denarësh.
Drejtuesi i kamionit, shtetas i Serbisë, është ndaluar, ndërsa Departamenti i Hetimeve ka ngritur ndaj tij kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Gjevgjeli, nën dyshimin për veprën penale të kontrabandës.
Ky është rasti i dytë gjatë këtij viti në pikën kufitare të Bogorodicës, ku parandalohet kontrabandimi i një sasie kaq të madhe cigaresh pa pulla akcize.
Aksioni është pjesë e përpjekjeve për luftimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit, përmes kontrolleve të shtuara në pikat kufitare, mbikëqyrjes së tregut të brendshëm dhe hetimeve për identifikimin e personave të përfshirë në këto veprimtari.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: